Nga reshje ekstreme shiu në përmbytje, mijëra të evakuuar në Spanjë

Nga reshje ekstreme shiu në përmbytje, mijëra të evakuuar në Spanjë

Spanja u përball të enjten me përmbytje të rënda në jug të vendit, pasi stuhia Leonardo solli reshje ekstreme shiu, me mbi 600 litra për metër katror të regjistruara brenda vetëm 36 orësh në zonën e Grazalemës, sipas Agjencisë Shtetërore Meteorologjike (AEMET).

Uji përmbyti rrugët dhe banesat në fshatin Grazalema në provincën e Cadizit, ndërsa lumenjtë dolën nga shtrati në pjesë të mëdha të Andaluzisë. Autoritetet evakuuan rreth 4,000 persona, mbyllën shkollat dhe pezulluan lidhjet hekurudhore dhe rrugore në disa zona të prekura.

Policia në Cadiz ndërhyri në kushte të vështira, duke kaluar nëpër ujëra që arrinin deri në bel për të shpëtuar persona të bllokuar në një ndërtesë të braktisur. Ndërkohë, oficerët e Gardës Civile vijojnë kërkimet për një grua të zhdukur pranë Malagas, e cila dyshohet se është rrëmbyer nga një lumë i fryrë teksa përpiqej të shpëtonte qenin e saj.

Ndërsa kushtet atmosferike po përmirësohen gradualisht në jug të Spanjës dhe alarmi i kuq në provincën e Cadizit u hoq të enjten pasdite, autoritetet paralajmërojnë se stuhi të tjera priten në ditët në vijim.

MARKETING