Nga orteku në Himalaje, humbin jetën dy skiatorë dhe 19 tjerë mbesin të ngujuar në borë
Dy skiatorë kanë humbur jetën dhe 19 tjerë për pak minuta kanë ngecur të ngujuar nën borë, pasi një ortek bore goditi resortin e njohur në Himalaje.
Orteku i madh i borës goditi 21 turistë dhe dy udhërrëfyes nga Kashmiri, ku si pasojë dy skiatorë nga Polonia humbën jetën, derisa ekipet e shpëtimit arritën t’i nxjerrin të gjallë turistët e tjerë, transmeton Telegrafi.
“Turistët po skijonin në bjeshkë në afërsi të qytetit Gulmarga. Jemi nisur për t’i shpëtuar. Deri më tani kemi gjetur dy trupa të pajetë”, ka konfirmuar policia duke shtuar se ekipet e shpëtimit kanë arritur t’i nxjerrin të gjallë 19 turistë dhe dy udhërrëfyes.
Në rrjetet sociale është shfaqur videoja e ortekut të borës, ku shihet sesi sasia e madhe e borës fillon të bie nga kodra, kurse turistët ikin në zona më të sigurta.
Ortekët janë të shpeshta në zonën e Kashmirit. Gjatë vitit 2017 në tri raste të ndryshme nga ortekët e borës kanë mbetur të ngujuar ushtarët indianë, ku si pasojë 20 prej tyre humbën jetën. /Telegrafi/