New York Times: Shqipëria i jep dritën jeshile projektit të Jared Kushner për ishullin e Sazanit
Qeveria e Shqipërisë i ka dhënë miratimin paraprak një plani të propozuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, për të ndërtuar një kompleks hoteli luksoz 1.4 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit.
Miratimi nga Komiteti i Investimeve Strategjike të Shqipërisë, i cili drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i jep Kushner dhe partnerëve të tij të biznesit të drejtën për të vazhduar me negociatat e përshpejtuara për ndërtimin e resortit luksoz në ishullin e Sazanit që do të lidhet me traget me kontinentin.
Sipas New York Times, Kushner dhe qeveria shqiptare nuk iu përgjigjën të mërkurën kërkesave për koment. Por të pyetur më parë për këtë projekt, të dy kanë thënë se vlerësimi nuk po ndikohet nga lidhjet e Kushner me Trump apo ndonjë përpjekje për të kërkuar favore nga qeveria e SHBA.
“Fakti që një sipërmarrës kaq i njohur amerikan tregon interesin e tij për të investuar në Shqipëri, na bën shumë krenarë dhe të lumtur”, tha një zëdhënës i Ramës vitin e kaluar në një deklaratë për New York Times, kur u pyet për projektet.
“Affinity Partners”, një kompani private e Kushner me kapital të mbështetur me rreth 4.6 miliardë dollarë para, kryesisht nga Arabia Saudite dhe fonde të tjera të pasurisë sovrane të Lindjes së Mesme, po ndjek projektin e Shqipërisë së bashku me Asher Abehsera, një ekzekutiv i pasurive të paluajtshme.
Qeveria shqiptare, sipas një dokumenti zyrtar të publikuar së fundmi në internet, tani do të punojë me partnerët e saj amerikanë për të pastruar vendndodhjen e propozuar të hotelit nga çdo municion apo potencial të varrosura dhe për të shqyrtuar çdo shqetësim tjetër mjedisor ose ligjor që duhet të zgjidhet përpara se projekti të mund të zhvillohet.
Dokumenti në fjalë, që daton më 30 Dhjetor thekson se qeveria shqiptare ka të drejtë të revokojë vendimin për dhënien e statusit strategjik nëse “palët nuk arrijnë të bien dakord mbi termat e bashkëpunimit apo nëse subjekti nuk plotëson kushtet dhe detyrat e lëna në këtë vendim, apo nëse përgjatë zhvillimit dhe zbatimit të projektit të investimit strategjik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit” konstatohen të dhëna të pavërteta, apo ndryshime të dala rishtazi mbi bazën e të cilave nuk do ishte vendosur për miratimin e statusit strategjik të tij me procedurën e veçantë”./Opinion.al