Netflix sjell cilësi më të mirë të imazhit – por jo për të gjithë

Krahasuar me HDR-në standarde, HDR10+ ofron një gamë më të gjerë dinamike për një imazh më të ndritshëm dhe më të theksuar. Gjithashtu, mundëson rregullimin e tonit për çdo kuadër, që do të thotë se pajisja nuk ka nevojë të përshtatë automatikisht ndriçimin e skenave të errëta dhe të ndritshme.
Në vend të kësaj, teknologjia e integruara në përmbajtje ndihmojnë televizorin, telefonin ose tabletin të shfaqë detajet sa më saktë. Si rezultat, HDR10+ ofron tone më të thella të zezës, më pak pjesë të mbiekspozuara dhe saktësi më të madhe vizuale. Netflix ka publikuar imazhe krahasuese midis HDR10 dhe HDR10+, ku duket qartë se detajet e ndriçuara nga një elektrik dore ruhen më mirë në HDR10+, ndërsa në versionin HDR10 ka mbiekspozim, raporton Android Authority.
HDR10+ me kodekun AV1
Netflix po ofron HDR10+ përmes kodekut AV1, i cili u prezantua në vitin 2018. Fillimisht u krijua për të reduktuar sasinë e të dhënave të nevojshme për transmetimin e përmbajtjeve 4K në telefona, por ka rezultuar efikas edhe për skedarë të mëdhenj HDR.
Për momentin, HDR10+ do të jetë i disponueshëm vetëm për disa përmbajtje. Kompania ka bërë të ditur se fillimisht formati do të mbulojë “50 për qind të orëve të disponueshme të shikimit”, edhe pse nuk është e qartë çfarë përfshin saktësisht kjo masë. Plani është që deri në fund të vitit 2025, të gjithë filmat dhe serialet HDR në Netflix të mbështesin HDR10+.
Kush mund të përdorë HDR10+?
Lajmi i keq është se HDR10+ nuk do të jetë i disponueshëm për të gjithë përdoruesit. Për ta përdorur, do të nevojitet një pajtim Netflix Premium, si dhe një pajisje që mbështet kodekun AV1 dhe formatin HDR10+. Pasi formati të bëhet i disponueshëm, përdoruesit do të duhet të aktivizojnë opsionin HDR në cilësimet e pajisjes së tyre dhe të gjejnë përmbajtje që mbështet HDR10+ për të shijuar cilësinë e përmirësuar të imazhit. /Telegrafi/