Netanyahu sulmon ish-kryeministrin Ehud Barak, thotë se “Epstein nuk ka punuar për Izraelin”
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përdorur vëmendjen e ripërtërirë ndaj dosjeve Epstein për të sulmuar paraardhësin e tij Ehud Barak, duke deklaruar se Jeffrey Epstein “nuk ka punuar për Izraelin”, transmeton Anadolu.
E përditshmja The Jerusalem Post raportoi se lidhjet e ish-kryeministrit Barak me Epstein morën vëmendje të gjerë mediatike pasi të dy u takuan disa herë në vitet 2015 dhe 2016, vite pas dënimit të parë penal të Epsteinit. Fotografi të qarkulluara në atë kohë tregonin Barakun duke hyrë në rezidencën e Epsteinit në Manhattan, New York.
Në komentin e tij të parë publik mbi dokumentet e Epsteinit, Netanyahu në platformën sociale amerikane X shkroi se “marrëdhënia e pazakontë dhe e ngushtë e Epsteinit me Ehud Barakun nuk sugjeron se Epsteini ka punuar për Izraelin, ajo provon të kundërtën”.
“I mbërthyer pas humbjes së tij zgjedhore nga më shumë se dy dekada më parë, Baraku prej vitesh ka tentuar në mënyrë obsesive të minojë demokracinë izraelite duke bashkëpunuar me të majtën radikale anti-sioniste në përpjekje të dështuara për të rrëzuar qeverinë izraelite të zgjedhur”, tha Netanyahu, duke iu referuar administratës së tij.
Netanyahu akuzoi Barakun se është angazhuar “në aktivitete publike dhe prapa skenave për të minuar qeverinë e Izraelit, përfshirë nxitjen e lëvizjeve masive të protestës, shkaktimin e trazirave dhe ushqimin e narrativave të rreme mediatike”.
Baraku prej vitesh ka qenë një kritik i zëshëm i Netanyahut dhe ka bërë thirrje të përsëritura për largimin e qeverisë.
Në mesin e vitit 2025, Baraku iu bashkua rreth 3 mijë profesionistëve izraelitë të mjekësisë dhe shëndetësisë në nënshkrimin e peticioneve që i bënin thirrje qeverisë të sigurojë kthimin e pengjeve të mbajtura nga fraksionet palestineze në Gaza, edhe nëse kjo do të kërkonte ndalimin e luftës që filloi në tetor të vitit 2023 dhe zgjati dy vjet.
Të premten, zv/prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, njoftoi publikimin e më shumë se 3 milionë dosjeve shtesë për publikun si pjesë e hetimeve për Epsteinin.
Epstein, një financier amerikan i akuzuar për drejtimin e një operacioni të gjerë trafiku seksual që përfshinte vajza të mitura, disa prej tyre vetëm 14-vjeçe, u gjet i vdekur në një burg të New Yorkut në vitin 2019 teksa ishte në paraburgim.
Dosjet e çështjes përfshijnë emrat e shumë figurave të njohura, ndër ta ish-princi britanik Andrew, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump, ish-kryeministri izraelit, Ehud Barak, këngëtari Michael Jackson dhe ish-guvernatori i New Mexicos, Bill Richardson.

