Netanyahu: Prioritet i Izraelit, normalizimi i lidhjeve me vendet arabe përpara paqes me palestinezët

Netanyahu: Prioritet i Izraelit, normalizimi i lidhjeve me vendet arabe përpara paqes me palestinezët

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se prioriteti i tij është të normalizojë marrëdhëniet e Izraelit me vendet arabe përpara paqes me palestinezët, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Unë mendoj se mënyra se si do të kemi sukses është të mos lejojmë bishtin palestinez të tundë trupin e botës arabe”, ka thënë Netanyahu për CNN në një intervistë të publikuar sot.

Kryeministri izraelit, megjithatë, ka deklaruar se është “i hapur” për negociata me palestinezët dhe për të bashkëpunuar me ta për çështjet e sigurisë, por jo më tepër.

“Unë jam sigurisht i gatshëm që ata të kenë të gjitha fuqitë që u nevojiten për të qeverisur veten, por asnjë nga fuqitë që mund të na kërcënojnë”, ka shtuar ai.

Netanyahu ka thënë se ai ishte në gjendje të nënshkruante katër marrëveshje normalizimi me vendet arabe – sipas Marrëveshjeve të Abrahamit – që ishte dyfishi i numrit të marrëveshjeve të paqes të bëra nga paraardhësit e tij gjatë 70 viteve.

“Nëse bëjmë paqe me Arabinë Saudite – kjo varet nga lidershipi saudit – dhe i japim fund konfliktit arabo-izraelit, mendoj se do të kthehemi te palestinezët dhe do të arrijmë një paqe të realizueshme me palestinezët”, ka shtuar ai.

Me ndërmjetësimin e SHBA-së, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreini nënshkruan marrëveshje për të normalizuar lidhjet e tyre me Izraelin në shtator 2020. Ky hap u pasua më vonë nga Sudani dhe Maroku.

Para vitit 2020, Izraeli kishte dy marrëveshje paqeje me Egjiptin në vitin 1979 dhe me Jordaninë në 1994.

MARKETING