Netanyahu: Lufta izraelite në Gaza “larg përfundimit”

Netanyahu: Lufta izraelite në Gaza “larg përfundimit”

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se lufta në Rripin e Gazës është “larg përfundimit”, transmeton Anadolu.

“Ne nuk ndalemi. Ne vazhdojmë të luftojmë”, tha Netanyahu gjatë një takimi me ligjvënësit e partisë së tij ‘Likud’.

“Ne do të intensifikojmë luftimet në ditët në vijim. Luftimet do të zgjasin shumë dhe ajo nuk është afër përfundimit”, shtoi ai.

Kryeministri izraelit argumentoi se presioni ushtarak do të ketë sukses në lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës.

“Ne deri tani nuk do të kishim arritur të lirojmë më shumë se 100 pengje pa presion ushtarak”, tha Netanyahu gjatë një seance të posaçme parlamentare, ku morën pjesë familjet e pengjeve.

“Ne kemi nevojë për kohë”, shtoi Netanyahu, i cili u ndërpre disa herë nga të afërmit e pengjeve të cilët kërkonin të punojë “tani” për lirimin e tyre.

Sipas mediave izraelite, rreth 130 pengje po mbahen nga grupet palestineze në Rripin e Gazës.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, duke vrarë të paktën 20.674 palestineze, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur rreth 54.530 të tjerë.

Sulmet izraelite e kanë shndërruar Gazën në gërmadha, me gjysmën e banesave të territorit bregdetar të dëmtuara ose të shkatërruara dhe me pothuajse 2 milionë njerëz të zhvendosur brenda enklavës me një popullsi të dendur mes mungesës së ushqimit dhe ujit të pastër.

MARKETING