Netanyahu kërcënon Katarin me sulme të reja nëse nuk dëbon zyrtarët e Hamasit

Netanyahu kërcënon Katarin me sulme të reja nëse nuk dëbon zyrtarët e Hamasit

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërcënuar Katarin se do të ndërmarrë përsëri sulme ndaj vendit nëse nuk dëbon zyrtarët e Hamasit, transmeton Anadolu.

Në një video-mesazh të publikuar në llogarinë e Zyrës së Kryeministrit izraelit në platformën amerikane X, Netanyahu tha: “Ose i dëboni ata, ose ia dorëzoni drejtësisë. Sepse nëse nuk e bëni ju, do ta bëjmë ne”.

Ai iu drejtua jo vetëm Katarit, por edhe të gjitha vendeve ku gjenden përfaqësues të Hamasit, duke krahasuar sulmin e 7 tetorit 2023 të Hamasit me sulmet e 11 shtatorit në SHBA, në përpjekje për të justifikuar agresionin e Izraelit ndaj Dohas.

Netanyahu reagoi edhe ndaj valës së dënimeve ndërkombëtare për shkeljen e sovranitetit të Katarit dhe ligjit ndërkombëtar. “Tani, vende të ndryshme në botë po e dënojnë Izraelin. Duhet të turpërohen për këtë”, tha ai.

Ushtria izraelite bombardoi të martën me avionë ushtarakë një ndërtesë në kryeqytetin Doha, ku ndodhej ekipi negociator i Hamasit.

Hamasi konfirmoi se udhëheqësit e lartë shpëtuan nga atentati, por në sulm humbën jetën djali i anëtarit të Byrosë Politike, Khalil al-Hayya, katër pjesëtarë të tjerë të Hamasit dhe një polic i Katarit.

MARKETING