Netanyahu i paraqet kabinetit planin e tij për të aneksuar disa zona të Gazës

Netanyahu i paraqet kabinetit planin e tij për të aneksuar disa zona të Gazës

Raportohet se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i paraqiti kabinetit të tij të sigurisë një plan për të aneksuar disa zona të Gazës në mënyrë që të mbajë në qeveri ministrin e Financave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, i cili ka kërcënuar të japë dorëheqjen, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të gazetës “Haaretz”, Netanyahu me qëllimin për të mbajtur ministrin Smotrich në qeveri i paraqiti kabinetit të sigurisë një plan të miratuar edhe nga administrata amerikane.

Thuhet se Hamasit do t’i jepen disa ditë për të pranuar armëpushimin në Gaza dhe nëse kjo nuk ndodh do të vihet në zbatim plani i cili parashikon aneksimin me faza të një pjese të Gazës.

Smotrich ka sinjalizuar tërheqjen e tij nga qeveria izraelite nëse lejohet hyrja e ndihmës humanitare për Gazën.

Në një deklaratë të bërë më parë nga Zyra e kryeministrit izraelit ishte pretenduar se po kryhet bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, SHBA-në dhe vendet evropiane për të ofruar ndihmë humanitare në Gaza.

Në deklaratë pretendohet se sulmet ndaj zonave me popullsi të dendur në Gaza ndalen çdo ditë midis orës 10:00 dhe 20:00 dhe se janë përcaktuar rrugë të sigurta për të garantuar kalimin e sigurt të autokolonave të ndihmave midis orës 06:00 dhe 23:00.

– Gaza po “vdes nga uria”

Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe nën një rrethim të rreptë që kufizon ndihmën humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe furnizimesh higjienike.

Vdekjet për shkak të urisë, veçanërisht të fëmijëve, janë në rritje në Rripin e Gazës. Qarqet lokale dhe ndërkombëtare theksojnë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”.

Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Rripit të Gazës duke bombarduar edhe infrastrukturën civile, shpeshherë shënjestron palestinezët që ka zhvendosur me urdhra të dëbimi në zonat ku ata strehohen.

Numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e dëbimit të Izraelit në Gazën e cila ka popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, raportohet të ketë arritur në 2 milionë dhe se shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.

Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët luftojnë për të mbijetuar në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku mungojnë furnizimet higjienike ndërsa lavamanët janë të pamjaftueshëm dhe sëmundjet infektive po përhapen.

Ndërkohë, ushtria izraelite me sulmet e përditshme që kryen bombardon tendat dhe strehimoret civile të të zhvendosurve.

MARKETING