Netananyahu: Nuk ka fund lufta në Gaza, por pranojmë armëpushim të përkohshëm

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të martën se mund ta pranojë një armëpushim të përkohshëm në Gaza, por nuk do të angazhohet për t’i dhënë fund luftës në enklavën palestineze.
MARKETING
Duke folur gjatë një vizite tek ushtarët e plagosur, Netanyahu tha, “eliminimi i Hamasit dhe lirimi i të gjithë pengjeve tona – këto shkojnë së bashku”.
“Hamasi mund të thotë ‘në rregull – ne duam të lirojmë dhjetë të tjerë’. Nuk do të ketë situatë ku ne ta ndalojmë luftën”, shtoi Netanyahu.
Sipas Times of Israel, Netanyahu i siguroi partnerët e tij të koalicionit se nëse Hamasi nuk pranon të çarmatoset, Izraeli do të pranojë vetëm një armëpushim të përkohshëm që liron disa nga pengjet.
“Në ditët në vijim, ne do të hyjmë me forcë të plotë për ta përfunduar operacionin për mposhtjen e Hamasit. Forcat tona janë atje tani”, shtoi ai.
Të hënën, zyra e Netanyahut tha se ai e udhëzoi ekipin e tij negociator të udhëtonte në Katar për të diskutuar një armëpushim të mundshëm dhe një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve me grupin palestinez Hamas. Delegacioni pritet të qëndrojë në Doha të paktën deri të enjten, gjatë turneut të Presidentit të ShBA-së Donald Trump në Gjirin Persik.
Hamasi liroi pengun izraelito-amerikan Edan Alexander të hënën, duke thënë se lirimi erdhi pas komunikimeve me Uashingtonin si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar një armëpushim në Gaza.
Izraeli vlerëson se 58 robër izraelitë mbeten në Gaza, përfshirë 21 që janë ende gjallë. Ndërkohë, më shumë se 9.900 palestinezë mbahen në burgjet izraelite, ku përballen me tortura, uri dhe neglizhencë mjekësore – kushte që kanë çuar në vdekje të shumta, sipas raporteve nga mediat palestineze dhe izraelite dhe organizatat e të drejtave të njeriut.
Ushtria izraelite ka vazhduar një ofensivë brutale në Rripin e Gazës, duke vrarë më shumë se 52.900 palestinezë që nga tetori 2023, kryesisht gra dhe fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste nëntorin e kaluar për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.