Në Ukrainë, Viti i Ri filloi me sulme në të gjithë vendin

Në Ukrainë, Viti i Ri filloi me sulme në të gjithë vendin

Shumë shpërthime u dëgjuan në Kiev dhe në pjesët tjera të Ukrainës, e sirenat që paralajmërojnë sulmet e mundshme ajrore, janë aktivizuar në gjithë vendin në orët e para pas mesnatës së Vitit të Ri.

Ndërsa sirenat dëgjoheshin, disa njerëz në Kiev bërtisnin nga ballkonet e tyre: “Lavdi Ukrainës! Lavdi heronjve”, thanë dëshmitarët për Reuters.
Fragmentet e raketave të shkatërruara nga sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase dëmtuan një veturë në qendër të kryeqytetit, por nuk pati lëndime apo viktima, njoftoi kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.

Administrata ushtarake e qytetit të Kievit, njoftoi se 23 “objekte ajrore” të nisura nga Rusia, ishin shkatërruar nga mbrojtja kundërajrore e Ukrainës, transmeton Telegrafi.

Sulmet pasuan disa minuta pas mesazhit të Vitit të Ri të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, në të cilin ai uroi fitoren e vendit të tij në luftën që po vazhdon prej 11 muajsh dhe nuk i duket fundi.

Shpërthimet janë dëgjuar edhe pas fjalimit, pa raportime dëme. Ka pasur gjithashtu raportime shpërthime në rajonin jugor të Khersonit dhe rajonin verior të Zhytomir.

Sulmet pasuan një breshëri prej më shumë se 20 raketash të gjuajtura në objektiva anembanë Ukrainës, të cilat zyra e avokatit të drejtave të njeriut të Ukrainës, Dmytro Lubinets, i quajti “terrori i Vitit të Ri”.

Zyrtarët e qytetit dhe rajonit të Kievit thanë se sistemet e mbrojtjes ajrore po funksiononin. Oleksiy Kuleba, guvernatori i rajonit të Kievit, tha se u sulmua nga dronë. Nuk dihet nëse është goditur ndonjë objektiv.

Vyacheslav Gladkov, guvernatori i rajonit jugor rus të Belgorodit, i cili kufizohet me Ukrainën, tha se gjatë bombardimeve të natës në periferi të qytetit rus të Shebekinit, pati dëme në shtëpi, por pa viktima.

Ukraina kurrë nuk ka marrë publikisht përgjegjësinë për ndonjë sulm brenda Rusisë, por i ka quajtur ato “karma” për pushtimin rus në Ukrainë.

MARKETING