Në sulmet e fundit të Izraelit në Gaza vriten 62 palestinezë

Që nga orët e mëngjesit, 62 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në masakrat e ushtrisë izraelite që kanë shënjestruar kopshte dhe shtëpi në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Ushtria izraelite, e cila vazhdoi sulmet e saj të pandërprera dhe intensive në Rripin e Gazës, shënjestroi palestinezët e zhvendosur dhe civilët, shtëpitë e të cilëve u bombarduan.
Ushtria izraelite kreu masakër të tmerrshme duke bombarduar një shtëpi në kampin e refugjatëve Bureyj në Rripin Qendror të Gazës.
– 24 palestinezë të vrarë në një shtëpi të goditur nga izraelitët
Sipas një burimi nga Spitali Dëshmorët e Aksasë në qytetin Deir al-Balah në Rripin qendror të Gazës, 24 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën kur ushtria izraelite shënjestroi shtëpinë që i përkiste familjes Al-Karinavi.
Dëshmitarët okularë raportuan se shtëpia e shënjestruar ishte e banuar nga njerëz dhe ndodhej në një zonë banimi me popullsi të dendur, prandaj pati shumë viktima dhe të plagosur. Dëshmitarët thanë se shtëpitë përreth shtëpisë së bombarduar pësuan gjithashtu dëme të mëdha.
Gjithashtu njoftuan se ekipet e mbrojtjes civile dhe të shëndetit nuk kishin pajisje të mjaftueshme dhe se përpjekjet po vazhdonin për të shpëtuar ata që ishin bllokuar nën rrënojat e shtëpisë së shënjestruar dhe shtëpive përreth.
– Dronët izraelitë sulmojnë palestinezët
Një person u vra pasi ushtria izraelite bombardoi një tendë palestinezësh të zhvendosur në rajonin Al-Barakah të Deir al-Balah.
Sipas informacionit të marrë nga burime në fushën e shëndetësisë, një mjet ajror pa pilot (UAV) që i përkiste ushtrisë izraelite shënjestroi një grup palestinezësh në qytetin e Gazës në veri të Rripit të Gazës dhe 8 persona u vranë në sulm.
Izraeli shënjestroi një grup palestinezësh në veri të qytetit të Gazës me një sulm me dron. Trupat e shtatë palestinezëve, përfshirë një fëmijë, të cilët u vranë në sulm u sollën në spitalin “Shifa”.
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan shtëpinë që i përkiste familjes Abu al-Qas në lindje të qytetit të Gazës. Dy persona u vranë në sulm, shumë të tjerë u plagosën dhe të paktën 20 të tjerë mbetën të bllokuar nën rrënoja.
Një grua u vra në sulmin e ushtrisë izraelite në rrugën Sikke në lagjen Zeytun në qytetin lindor të Gazës. Tre persona mbetën të vrarë kur një dron izraelit shënjestroi një grup palestinezësh në lagjen Shujayyya të qytetit të Gazës.
Shtatë palestinezë, përfshirë dy fëmijë, u vranë kur ushtria izraelite bombardoi një shtëpi që i përkiste familjes Azzam dhe një çerdhe në qytetin Jabalia në veri të Rripit të Gazës.
Dëshmitarët okularë thanë se tre palestinezë u vranë kur ushtria izraelite sulmoi një shtëpi tjetër në Jabalia.
– Izraeli synon palestinezët që shkojnë drejt qendrës së shpërndarjes së ndihmave në Khan Younis
Tre persona u vranë kur ushtria izraelite shënjestroi palestinezët që po shkonin në një qendër shpërndarjeje të ndihmës humanitare në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
Një burrë dhe gruaja e tij shtatzënë u vranë kur një dron izraelit shënjestroi një grup palestinezësh në qytetin Khan Younis.
Një palestinez u vra në një sulm të ushtrisë izraelite në zonën Kiyzan an-Najjar të Khan Younis.