Në Spitalin Memorial të Fierit realizohet për herë të parë ndërhyrja e avancuar neurokirurgjikale

Në Spitalin Memorial të Fierit realizohet për herë të parë ndërhyrja e avancuar neurokirurgjikale

Në Spitalin Memorial të Fierit, i cili është ndërtuar me mbështetjen financiare të Turqisë, është realizuar për herë të parë ndërhyrja e avancuar neurokirurgjikale, transmeton Anadolu.

Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkruar se në Spitalin Memorial, Fier, u realizua me sukses kranioplastika e parë, sipas tij, një ndërhyrje e avancuar neurokirurgjikale që i ktheu shpresën për jetë një pacienti 75-vjeçar, pas një goditjeje të rëndë në tru.

“Pas 6 muajsh pritjeje dhe përkujdesje të vazhdueshme, pjesa e munguar e kraniotomisë iu vendos sërish pacientit, i cili tashmë ka dalë nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore. Mirënjohje për ekipin mjekësor: Dr. Egemen Nursoy, Dr. Klaudio Disha, Dr. Hasan Bayindir, Dr. Holta Kraja, Dr. Xhesika Hoxha dhe infermieren Fjorida Ago”, ka shkruar Rama.

Spitali Rajonal Memorial në Fier është ndërtuar me mbështetjen financiare të Turqisë. Spitali u hap për shërbim ndaj qytetarëve në fund të majit të vitit 2021 dhe në kuadër të një protokolli bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Turqisë, spitali menaxhohet për një periudhë disavjeçare bashkërisht nga ekipet turke dhe shqiptare.

Spitali Memorial Rajonal në Fier ka marrë kartën e autonomisë financiare, ndërkohë është spitali i parë publik në Shqipëri që ka përfituar më parë kartën e autonomisë menaxheriale.

MARKETING