Në 24 orët e fundit, 5 palestinezë, përfshirë dy fëmijë vdesin nga uria në Gaza

Në Rripin e Gazës, ku përjetohet uri për shkak të sulmeve dhe bllokadës izraelite, 5 palestinezë të tjerë kanë vdekur nga uria në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të vdekurve nga uria në 193, transmeton Anadolu.
Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Munir al-Bursh ndau informacion në mediat sociale në lidhje me personat që kanë vdekur nga uria.
Ai tha 5 palestinezë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur nga uria në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të vdekurve nga uria në Gaza në 193, prej të cilëve 96 janë fëmijë.
– Gaza po vdes nga uria
Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe një rrethimi të rreptë që kufizon hyrjen e ndihmës humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe materialesh higjienike.
Vdekjet nga uria, veçanërisht midis fëmijëve, po rriten në Rripin e Gazës. Qarqet lokale dhe ndërkombëtare thonë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”.
Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Gazës duke shkatërruar edhe infrastrukturën civile, shpesh synon palestinezët e zhvendosur me urdhër dëbimi në zonat ku ata janë strehuar.
Raportohet se numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e deportimit izraelit në Gaza, e cila ka një popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, ka arritur në 2 milionë dhe shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.
Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët e zhvendosur përpiqen të mbijetojnë në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku furnizimet higjienike janë të pakta, sëmundjet infektive janë të përhapura.
Nga ana tjetër, me sulme të përditshme ushtria izraelite bombardon tendat dhe strehimoret civile të personave të zhvendosur. Të paktën 61.020 palestinezë janë vrarë dhe 150.671 të tjerë janë plagosur në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.