Ndihmësi i Trump: Ukraina t’i mbajë zgjedhjet pas armëpushimit me Rusinë
Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Ukraina t’i mbajë zgjedhjet deri në fund të vitit, sidomos nëse Kievi arrin marrëveshje armëpushimi me Rusinë në muajt vijues, sipas një deklarate të zyrtarit amerikan, Keith Kellogg, në një intervistë për Reuters.
Kellogg, i dërguari amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, ka thënë se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Ukrainës, të pezulluara gjatë luftës, duhet të mbahen.
“Shumica e vendeve demokratike mbajnë zgjedhje në kohë lufte. Mendoj se është e rëndësishme të veprojnë ashtu”, theksoi ai.
Trump dhe Kellogg kanë thënë se janë duke punuar në një plan për të ndërmjetësuar një marrëveshje në muajt e parë të administratës amerikane, për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022.
Ata kanë bërë të ditura pak hollësi për strategjinë e tyre për dhënie fund të konfliktit më vdekjeprurës në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore.
Aktualisht është e paqartë si mund të pritet propozimi i Trumpit në Kiev.