Ndërtesa kryesore e Qeverisë ukrainase në shënjestër të sulmit rus

Një nga ndërtesat kryesore qeveritare në Kiev është dëmtuar si pasojë e sulmeve ajrore të natës. Lajmin e ka konfirmuar kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, e cila tha se godina është prekur nga një sulm armik.
“Për herë të parë, ndërtesa e Qeverisë, çatia dhe katet e sipërme janë dëmtuar për shkak të një sulmi armik. Ekipet e shpëtimit po e shuajnë zjarrin,” është shprehur ajo.
Sipas raportimit të BBC, kryebashkiaku i Kievit, Vitaliy Klitschko, ka konfirmuar se godina u përfshi nga flakët si rezultat i një sulmi me dron.
“Ndërtesa ndodhet në lagjen qendrore Pecherskyi,” ka shkruar Klitschko në një postim në Telegram.
Forcat e emergjencës janë ende në vendngjarje duke punuar për të shuar zjarrin dhe për të vlerësuar dëmet strukturore.