Naser Selmani: VLEN mision i pamundur!

Naser Selmani: VLEN mision i pamundur!

Naser Selmani

Viti i parë i mandatit të qeverisë ka qenë një dështim i plotë. Asnjë nga prioritetet strategjike të shpallura nuk ka prodhuar rezultate konkrete. U premtua zhvillim i hovshëm ekonomik dhe përmirësim i standardit jetësor; në realitet, pamë vetëm rritje simbolike të pensioneve dhe pagave në sektorin publik, të cilat u çvlerësuan shpejt nga rritja e pakontrolluar e çmimeve të konsumit.

Në vend të negociatave të suksesshme me Bashkimin Evropian, vetë qeveria bllokoi procesin e integrimit. Premtuan drejtësi dhe luftë kundër krimit, por nuk bënë asgjë konkrete. U mjaftuan me shkarkime selektive të gjykatësve e prokurorëve për të vendosur drejtësinë nën kontroll politik. Për një vit nuk arritën të rikthejnë në Kodin Penal nenin për ndëshkimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Reformat në administratën publike munguan. Marrëveshja e Ohrit u përdor vetëm si dekor politik për të mashtruar shqiptarët.

Liderët e VLEN-it thanë se po shkruajnë histori duke sjellur barazi dhe dinjitet, por në realitet përballen me premtime boshe. Ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe është bllokuar në Gjykatën Kushtetuese dhe zbatimi i tij nuk është as në agjendë.

Edhe Ligji për përfaqësim të drejtë ka pësuar të njëjtin fat: humbën një vit për hartimin e tij dhe, në vend që ta dërgonin në Kuvend për miratim, e dërguan për “ekspertizë” në Komisionin e Venecias. Një manovër e ulët për ta përdorur para zgjedhjeve vendore.

VLEN nuk mund të flasë për dinjitet kur krejt qeverisja e tyre ka qenë nënshtrim ndaj Mickoskit, i cili jo vetëm që i ka poshtëruar drejtuesit e tyre, por ka lejuar edhe rikthimin e brohoritjeve raciste kundër shqiptarëve. Premtimi për drejtësi nuk guxojnë as ta përmendin, sepse rasti i spitalit modular në Tetovë është ende pa përgjigje. Familjet e viktimave kërkojnë drejtësi, jo spektakle partiake me lule.

Paaftësia e VLEN-it po ju kushton shtrenjtë shqiptarëve.
Mickoski nuk i respekton sepse ata nuk kanë agjendë politike. Nuk kanë as ide, e as guxim politik. Pas një viti në qeveri, ende merren me Ali Ahmetin.

Përballen edhe me krizë lidershipi. Nga radhët e tyre nuk doli asnjë figurë politike që mund të imponohet si lider, sepse nga sektet nuk mund të lindë një parti serioze.

Shumica e funksionarëve të VLEN-it nuk kanë as kapacitete e as përvojë profesionale për të drejtuar institucione, dhe asnjëri nuk guxon të sfidojë Mickoskin. Ме аmbicje të mëdha, por me kapacitete modeste!

Për më tepër, ata nuk gëzojnë as mbështetjen e kryeministrit, e aq më pak të faktorit ndërkombëtar dhe shtetit shqiptar.

Me këtë performancë të dobët, duket mision i pamundur që nga VLEN-i të dalë një elitë politike e aftë për të përfaqësuar me dinjitet interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

MARKETING