Musk e quajti ‘budalla’, vjen reagimi i kancelarit gjerman Olaf Scholz
Kancelari gjerman, Olaf Scholz i ka dënuar komentet e miliarderit Elon Musk dhe mbështetjen e tij të hapur për partinë gjermane të ekstremit të djathtë AfD.
Miliarderi teknologjik, Elon Musk e quajti Olaf Scholz një “budalla” dhe presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier iu referua si një “tiran antidemokratik”.
Tashmë kancelari ka reaguar ashpër.
“Si socialdemokratë, ne jemi mësuar që ka sipërmarrës të pasur mediatik që nuk e vlerësojnë politikën socialdemokratike – dhe nuk i mbajnë mendimet e tyre prapa skenave”, tha Scholz.
“Sigurisht, gjërat janë pak më ndryshe sot, sepse kompanitë dhe platformat mediatike tani kanë një shtrirje globale. Por nuk është asgjë e re në këtë çështje, duhet të qëndroni të qetë”, shtoi politikani i SPD-së.
“Më duket shumë më shqetësuese që Musk mbështet një parti ekstremiste pjesërisht të djathtë si AfD, e cila predikon afrimin me Rusinë e Putinit dhe dëshiron të dobësojë marrëdhëniet transatlantike”, vazhdoi Scholz.
Bëhet e ditur se këto reagime vijnë pasi në platformën e tij X, Musk e quajti Scholz një “budalla” dhe presidentin federal Frank-Walter Steinmeier një “tiran jodemokratik”.
“Presidenti nuk është një tiran antidemokratik dhe Gjermania është një demokraci e fortë dhe e qëndrueshme – Musk mund të thotë çfarë të dojë”, tha Scholz.
“Në Gjermani, gjërat bazohen në vullnetin e qytetarëve, jo në deklaratat e çrregullta të një miliarderi në SHBA”, u shpreh ai.