Muaji Muharrem dhe simbolika e Qerbelasë

Muaji Muharrem dhe simbolika e Qerbelasë

METIN IZETI

Emri “Muharrem” ka një rëndësi të veçantë fetare, kulturore dhe historike brenda traditës islame. “Muharrem” është një emër i gjuhës arabe që është i rrënjosur thellë në kulturën islame. Rrjedh nga fjala arabe “ḥaram”, që do të thotë “ndalesë” ose “e shenjtë”. Emri është gjithashtu i lidhur ngushtë me muajin Muharrem, muaji i parë i kalendarit hënor islamik. Ky muaj ka rëndësi të veçantë pasi konsiderohet i shenjtë, dhe është një kohë për reflektim si dhe vëzhgim të ngjarjeve të rëndësishme fetare, siç është Qerbelaja.

Emri “Muharrem” ka evoluar gjatë historisë së qytetërimit islam. Është një emër që mishëron një ndjenjë shenjtërie dhe nderimi, e reflektuar në lidhjen e tij me muajin e shenjtë Muharrem. Përgjatë shekujve, emri është përdorur për të nënkuptuar pastërtinë, veprimet e ndaluara dhe solemnitetin fetar, duke e bërë atë një zgjedhje popullore në mesin e familjeve muslimane që kërkojnë t’u rrënjosin fëmijëve të tyre një ndjenjë devotshmërie dhe respekti për traditën. Në kontekstin historik, shumë bartës të emrit “Muharrem” ishin figura me ndikim në komunitetet fetare dhe dijetare, duke përjetësuar kështu rëndësinë e emrit brenda traditave kulturore islame. Me kalimin e kohës, emri është përhapur përtej kufijve të tij origjinalë gjeografikë, duke u bërë i njohur dhe përdorur në vende dhe komunitete të ndryshme me shumicë myslimane në mbarë botën. Nga origjina e tij në gjuhën arabe deri te prania e tij historike dhe bashkëkohore nëpër rajone të ndryshme, emri mishëron një trashëgimi shenjtërie dhe respekti. Popullariteti i tij, megjithëse ndryshon sipas vendndodhjes, mbetet një dëshmi e vlerës së qëndrueshme që i vihet identitetit fetar dhe kulturor.

Muharremi është muaji i parë i kalendarit islamik, hixhretit. Është një nga katër muajt e shenjtë për të cilin Allahu thotë: “Numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë (në një vit). Kështu është caktuar nga Ai ditën që krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjta. Kjo është feja e drejtë. Pra, mos e bëni gabim veten në të.” (Et-Teube: 36). Katër muajt, sipas hadithit autentik, janë muajt Dhul-Ka`de, Dhul-Hixhe, Muharrem dhe Rexheb. Shenjtëria e këtyre katër muajve vërehej në Sheriatin e të gjithë Pejgamberëve. Dijetarët muslimanë kanë deklaruar se veprimet e kryera në këta muaj ndikojnë në atë që njeriu bën në muajt e mbetur të vitit.

Pejgamberi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, transmetohet të ketë thënë: “Agjërimi më i mirë përveç muajit të Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut, Muharrem dhe namazi më i mirë përveç namazit farz është namazi i Tehexhudit (namazi i natës)”. Dita e 10-të e Muharremit e njohur si dita e Ashures, është një ditë shumë domethënëse në kalendarin islamik. Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, e ka këshilluar Umetin që të agjërojë këtë ditë. Është transmetuar të ketë thënë: “Duke agjëruar ditën e Ashures, shpresoj që Allahu ta pranojë atë si shlyerje për vitin e kaluar”. (Transmeton Muslimi)

Është transmetuar në Sahihun e Imam Buhariut dhe në koleksione të tjera autentike të haditheve se Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe shokët e tij agjëronin ditën e dhjetë të Muharremit ndërsa ishin në Mekë (para hixhretit). Ibn Abasi thotë: “Unë nuk e pashë Pejgamberin duke pritur me siklet agjërimin e ndonjë dite, të cilën ai i dha përparësi ndaj ditëve të tjera, por kësaj dite (të Ashures) dhe muajit të Ramazanit. Ishte një ditë në të cilën banorët e Mekës ndërronin mbulesën (kiswah) të Qabes. Këtë ditë e agjëronin edhe kurejshët. (Transmeton El-Buhariu)

Pas hixhretit kur Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) erdhi në Medine, zbuloi se edhe hebrenjtë e Medinës e mbanin këtë ditë me agjërim. Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) i pyeti ata arsyen e agjërimit të tyre në këtë ditë. Ata thanë: “Kjo është një ditë e bekuar. Në këtë ditë Allahu i shpëtoi Beni Israilët nga armiku i tyre (në Egjipt) dhe kështu Pejgamberi Musa agjëroi këtë ditë duke e falënderuar Allahun.” Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) i tha: “Ne jemi më afër Musait se ju”. Ai e agjëroi atë ditë dhe i urdhëroi muslimanët që ta agjërojnë këtë ditë. (Transmeton El-Buhariu)

Agjërimi i Ashures në fillim ishte obligim (farz). Në vitin e dytë të hixhretit (624 e.s.) kur erdhi urdhri i Allahut që muslimanët të agjëronin tërë muajin e Ramazanit, Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dërgoi dikë që t’u lajmëronte njerëzve se agjërimi i Ashures ishte bërë vullnetar. (Nafile). Kjo tregon se kushdo që dëshiron të agjërojë, mund të agjërojë dhe kush nuk dëshiron të agjërojë, nuk do të ketë asnjë faj.

Imam Et-Tirmidhiu përmend se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) thoshte se duhet të agjërojmë dy ditë: 9 dhe 10 të Muharremit për t’u dalluar nga komuniteti çifut. (Transmeton Tirmidhiu) Ibn Abasi citon gjithashtu Pejgamberin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) të ketë thënë: “Nëse jetoj vitin tjetër, do të agjëroj edhe ditën e 9-të”. (Transmetuar nga Ahmedi)

Agjërimi i Ashures ka shpërblim të madh. Ka shumë hadithe që përmendin begatitë dhe virtytet e tij. Është mirë të agjërohet në këtë ditë, edhe pse nuk është obligim.

Në literaturën islame janë dhnë sqarime të shumta për vlerën e këtij muaji dhe janë përmendur ngjarje të ndryshme nga jeta e pejgamberëve të mëparshëm të cilat kanë ndodhur në dhjetë ditët e para të muajit Muharrem. Si rrjedhojë, lirisht mund të thuhet se muaji i Muharremit ka një rëndësi të veçantë fetare adhuruese si dhe kulturore në kuadër të botëvështrimit islam. Krahas asaj që te shiitët, për shkak të ngajrjeve të Qerbelasë dhe vrasjes mizore të nipit të Pejgamberit a.s., Huseinit r.a., ka marrë popularitet më të madh, muaji i Muharremit ka vend të veçantë dhe meritor edhe në traditën adhuruese dhe kutlurore të sunitëve dhe veçanërisht të rrugëve sufike që i përkasin këtij drejtimi akaidor.

Ngjarjet politike dhe ideologjizimi i tyre në periudhën e mëvonshme ka ndikuar që Qerbelaja dhe vrasja e Huseinit r.a. në ditën e dhjetë të Muharremit, pra, të Ashures, të injorohet nga njëra anë dhe të shfrytëzohet për qëllime frakcionale nga ana tjetër. Duke mos dashur të hy në polemikat shterpe frakcionale apologjetike, ajo që dua të them është se muaji i Muharrem ka rëndësi të veçantë për të gjithë muslimanët dhe vrasja mizore e nipit të Pejgamberit a.s., Huseinit r.a. në Qerbela është një brengë, mërzi, dëshprim dhe trishtim për të gjihtë ata që kanë iman në gjoksin e tyre.

Data 10 e Muharremit shënon zenitin e Betejës së Qerbelasë në të cilën nipi i Pejgamberit a.s., Huseini r.a., zgjodhi vdekjen në vend të poshtërimit, në vend të dorëzimit ndaj kërkesave të padrejta të Jezidit. Me këtë nip të Pejgamberit a.s. u shua një grup i vogël, por i përkushtuar i muslimanëve, duke përfshirë pothuajse të gjithë pasardhësit e drejtpërdrejtë të familjes pejgamberike. Vrasja e familjes së Pejgamberit a.s. në Qerbela ka shërbyer si një simbol i sakrifikimit të thellë për të mbrojtur të vërtetën dhe të drejtën, madje, veçanërisht për të kundërshtuar padrejtësinë dhe keqpërdorimet e pushtetit mizor. Përveçse është përmendur si një nga tragjeditë më të mëdha që ka pësuar njerëzimi, kjo tragjedi ka lënë ndikime të thella në mendjen e njerëzve të të gjitha kohërave. Koha nuk e ka harruar këtë betejë, përkundrazi sa më shumë ka kaluar koha, aq më të qarta janë bërë mësimet e saj. Ngjarjet e saj tragjike epike kanë mësime të ngulitura në të, të cilat i kanë shtyrë burrat të ngrihen mbi tragjedinë e saj dhe kanë lindur shumë filozofi dhe eulogji. Është bërë më shumë një frymëzim për njerëzimin që të arrijë cilësitë e shpresës dhe guximit, duke dënuar me çdo kusht shtypjen dhe padrejtësinë. Ajo jep forcën për të protestuar kundër padrejtësisë dhe për t’u rezistuar ndaj tiranëve, të cilët shfaqen në të gjitha epokat dhe në të gjitha kohërat.

Kjo ditë mbahet mend me emrin “Ashura”, që fjalë për fjalë përkthehet “dita e 10-të e muajit” dhe kjo shënon kulmin e “Përkujtimit të Muharremit”. Kujtimi i një prej ngjarjeve më me ndikim dhe frymëzues në historinë e botës, ndikues në aspektin e formësimit të personalitetit të plotë musliman në shekujt në vijim, frymëzues për sa i përket ndezjes së zemrave të shumë njerëzve me një dëshirë të zjarrtë për të fituar betejën e mira kundrejt së keqes. Kjo luftë mes hyjnores dhe asaj të përkohshme, drejtësisë dhe tiranisë, së vërtetës dhe gënjeshtrës është një luftë që vazhdon edhe sot e kësaj dite, jo vetëm në botën islame, por në të gjithë globin.

Huseini r.a. ngreu krye, për hir të të shtypurve, kundër shtypësve, për të drejtët dhe të devotshmit dhe për hir të fesë islame. Ajo që ai bëri atë ditë ishte mbrojtje e fenomenit, pra, zgjatjes shoqërore, të konceptit të Teuhidit/besimit në një Zot. Huseini r.a. e refuzoi nënshtrimin ndaj shtypjes së sundimtarit tiran. Ai e dinte se të jetuarit në paqe me një shtypës do të ishte një mënyrë më e lehtë, por do të ishte një krim në vetvete. Preferoi të sakrifikonte gjithçka që ishte e çmuar, na mësoi se rruga e së vërtetës nuk është për t’u frenuar me asnjë çmim, madje as edhe në çmim të jetës dhe zgjodhi vdekjen me dinjitet krahas jetës së poshtëruar. Ai zgjodhi të mendojë lirshëm në kohët kur mijëra verbonin besnikëri dhe pranonin sundimin e atij udhëheqësi tiranik. Ai refuzoi të premtonte besnikëri ndaj Jezidit dhe pushtetit të tij pasi besonte se sundimi i Jezidit ishte i padrejtë dhe i paligjshëm. Ky mësim i jashtëzakonshëm është për të gjithë njerëzimin që të sigurojë të menduarit e lirë me mendje të hapur, duke ri-analizuar gjithçka që e rrethon.

Huseini r.a. u përpoq për të vërtetën që ishte thelbi i Islamit dhe forcoi vlerat e theksuara në Kuranin Famëlartë. Ai e dinte se ky qëndrim kundër një sunduesi tiran dhe pastaj përpjekja në rrugën e Allahut nuk do të jetë kurrë e lehtë. Provat që ai iu nënshtrua nuk ishin të lidhura me çështjet e arsyetimit ose besimit të zakonshëm. Ato nuk mund të konsiderohen kurrë teste të zakonshme. Sprova e tij kishte të bënte me qëndrueshmërinë e besimit të tij në Allahun. Si duroi ato dhe si i kaloi me sukses, ilustron gradën e lartë dhe personalitetin e tij superior, si dhe shfaq denjësinë e qenies së tij. Ishte përfundimi me sukses i një sërë ngjarjesh të rënda, të vështira, të mundimshme, që i garantuan atij jetë dhe lumturi të përjetshme. Ato u bënë të durueshme për të vetëm sepse ai e dinte se Allahu po shikon dhe asgjë nuk shkon pa u vënë re. Ato momente të vështira nuk i lanë ata të largoheshin nga vlerat morale të Islamit dhe ai mund të shihte mirësinë e fundit dhe shpërblimet e pafundme pas tyre. Ai e dinte se kjo nuk ishte pa ndonjë qëllim, kishte një synim për ringjalljen e Islamit dhe një mori mësimesh për t’u mësuar në kohët e ardhshme.

Qerbelaja e ka mësuar njerëzimin të qëndrojë përballë fatkeqësive sa herë që do të përballet me to. Rruga drejt lumturisë së përjetshme është përmes këtyre sprovave dhe kriteri për këtë është përmendur në Kuran. Allahu thotë: A mendoni se do të hyni në Xhenet (të begatisë) pa të tilla (gjurmë) si ata që ishin para jush? (El-Bekare 2:214). Në një vend tjetër Kurani thotë: “Allahu ka blerë nga besimtarët e tyre personat dhe pasurinë e tyre. E tyre (në këmbim) u është dhënë Xheneti .(Teube 9:111). Kjo sakrificë e Huseinit r.a. për të vërtetën dhe për Islamin ishte e një kalibri të tillë që ringjalli shpirtin e vërtetë të Islamit. Nëpërmjet kësaj, mbijetoi dhe u zhvillua ideja e Islamit për të mos iu përulur pushtetit mizor. Kjo ngjarje shembullore i ka udhëzuar jo vetëm muslimanët, por edhe njerëzimin që të qëndrojë për të vërtetën dhe të çmojë fitoren e së vërtetës mbi përfitimet e kësaj bote.

Huseini r.a. ishte mjaft i mençur për të ditur se trupi dhe jeta e tij i përkisnin Krijuesit të Tij dhe se duhej shpenzuar për çështjen e Tij. Të vdesësh për të vërtetën dhe drejtësinë është vetëm një nder i madh. Një karakteristikë e dukshme e gjithë kësaj ngjarjeje është se ideja e Huseinit r.a. ishte vetëm dhe vërtetë për hir të Allahut, dhe puna e tij ishte e tillë që nuk kishte as edhe një aluzion të vogël papastërtie. Prandaj kjo arritje cilësore ka zgjatur deri më sot dhe do të zgjasë përgjithmonë.

Ushtria e Jezidit ishte shumë më e madhe dhe  nuk përputhej askund me grupin e vogël të miqve dhe familjes së Huseinit r.a.. Nuk kishte asnjë shans që Huseini r.a. të fitonte një fitore ushtarake dhe kjo ishte e qartë për të dyja palët. Megjithatë, Huseini r.a., duke qëndruar i palëkundur në rrugën e besimit, duke i vendosur gjithë besimin Allahut, nuk ishte i përgatitur të komprometonte bindjet e tij para sunduesit të paligjshëm. Ai e dinte se do të shpëtonte nga ajo rrethanë e vështirë dhe se kjo do t’i çonte ata drejt mirësisë. Ai u ngrit me një vendosmëri dhe u bë i aftë të dallonte rrugën e drejtë nga një mjedis i zymtë i padrejtësisë. Kur zemra e dikujt është plot besim, ajo sheh një botë krejtësisht të ndryshme. Gjithçka pëson një ndryshim thelbësor. Çdo gjë që njerëzit mund të vlerësojnë në lidhje me jetën dhe lumturinë, nuk ka rëndësi për zemrat e tilla. Ky është veçse hiri i Allahut që jep siguri dhe lumturi të vërtetë. Prandaj, çfarëdo kthese që mund të marrin ngjarjet, të gjitha këto bëhen të pranuara, sepse rezultati i përgjithshëm është ngushëllues dhe i përshtatshëm për jetën e të tjerëve në këtë botë dhe në jetën e ardhshme. Tragjedia dhe qëndresa e shfaqur nuk ishte një lloj që mund të vinte nga një i dobët, por ishte një demonstrim i qëndrueshmërisë dhe trimërisë së skajshme. Flet për një durim të jashtëzakonshëm në fatkeqësitë më të vështira.

Beteja e Qerbelasë dhe Dita e Ashures nuk është një kujtim për një grup nga muslimanët, por është për të gjithë njerëzimin. Kjo ngjarje e Qerbelasë ka të gjithë potencialin për t’u bërë simbol i unitetit dhe forcës në vend të ndarjes mes muslimanëve. Ne muslimanët jemi të gjithë përballë të njëjtit mur dhe është koha që të punojmë së bashku për kauzat e përbashkëta të drejtësisë dhe reformës sociale. Ashura është një rast për t’u bashkuar në dashurinë ndaj Allahut dhe të dërguarve të Allahut. Çdo musliman besnik duhet të paktën një herë në jetën e tij të përpiqet të bëhet si Huseini r.a., të imitojë trashëgiminë e tij dhe të përpiqet me vetëmohim drejt një jete që është në parimet e Kuranit dhe Sunetit.

Huseini r.a. nuk është një prijës i një frakcioni specifik, përkundrazi personaliteti i tij shembullor ka qenë një fener drite për të gjithë muslimanët. Trashëgimia e tij i ka mësuar dhe trajnuar njerëzit si nga brenda ashtu edhe nga jashtë me vullnetin e tyre të lirë. Është forca e tij misterioze shpirtërore që i ka udhëhequr personat pritës përpara në rrugën e zhvillimit të brendshëm. Ai i ka udhëzuar njerëzit me aftësinë dhe diturinë e tij dhe ka zbatuar parimet e Drejtësisë gjatë gjithë këtyre kohërave.  Huseini r.a. e ka përmbushur thelbin e udhëheqjes në të gjitha aspektet, materialisht dhe shpirtërisht, fizikisht dhe teologjikisht, në dukje dhe në brendësi, prandaj askush nuk ka të drejtë ta mohojë sakrificën dhe mësimet e tij.

Kjo ngjarje nuk duhet të mbahet mend në një periudhë të caktuar të vitit, ajo duhet thirrur në çdo rast kur përballemi me mosmarrëveshje, kur duhet të deklarohet e drejta kundër të gabuarës, kur duhet të provohet e mira kundër së keqes. Është një fener drite kur çdo shpresë humbet, është përgjigja për çdo pyetje që bëhet në kundërshtim me të vërtetën.

Qerbelaja ngërthen  një grup të fuqishëm temash, duke përfshirë edhe gjendjen e muslimanëve sot në botë. Kjo veçanërisht është e rëndësishme në rastin e Palestinës dhe mizorive që i bën Shteti i Izraelit ndaj njerëzve të pafajshëm. Koncepti i Qerbelasë është një mjet i fuqishëm i luftës për drejtësi mbarënjerëzore dhe sociale në të gjithë globin. Kjo tragjedi epike e Qerbelasë është një frymëzim për ata që po shtypen, duke u dhënë atyre shpresën e fitores. Premton triumf pavarësisht se janë në pakicë. I mrekullon shumë njerëz në prag të dorëzimit, duke u dhënë atyre forcë që të vazhdojnë të qëndrojnë për arsyen e duhur. Ajo do të vazhdojë të frymëzojë zemrat besnike për të dalë fitimtare kundër padrejtësive. Ajo do të vazhdojë t’i udhëheqë njerëzit të bëhen një simbol i guximit. Do të vazhdojë të mësojë se si të mos biem në pashpresi kurrë dhe si të ngriheni nga hiri.

Mësimet e Qerbelasë  do të qëndrojnë si fener drite për të drejtët deri sa të ekzistojë kjo botë…

MARKETING