MPB: Zyrtar i komunës Shuto Orizare ka përvetësuar nga buxheti komunal 3.600.000 denarë

Njësia për krim ekonomik dhe kompjuterik pranë SPB Shkup, duke vepruar sipas informacioneve operative të marra më parë, ka zbardhur rast në lidhje me veprën penale – “mashtrim në shërbim”, me ç’rast kundër personit D.A. (51), i punësuar si udhëheqës sektori në komunën Shuto Orizare, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, sipas nenit 355 paragrafi 3 të Kodit Penal të RMV-së.
Sipas të dhënave nga hetimi, i dyshuari në fund të vitit 2023, si udhëheqës sektori në komunën Shuto Orizare, me qëllim që të përfitojë pasuri të kundërligjshme – nga llogaria buxhetore e komunës, mbi bazën e mirëmbajtjes së objekteve shkollore, në pesë raste ka përpiluar urdhra të rremë për pagesë të mjeteve financiare, duke keqpërdorur vulën e komunës si dhe nënshkrimin e shkurtuar të kryetarit aktual të saj. Pasi i ka lëshuar mjetet financiare nga llogaria thesarike, paratë janë transferuar mbi bazën e tre urdhrave drejt një personi juridik nga Shkupi, ndërsa shtesë i dyshuari ka formuar edhe një person tjetër juridik ku ai ka qenë pronar dhe aty ka lëshuar edhe dy urdhra tjerë për pagesë. Në këtë mënyrë i dyshuari D.A. e ka dëmtuar buxhetin e komunës Shuto Orizare për 3.600.000 denarë.