Mori detyrën si presidente e përkohshme Venezuelës pas arrestimit të Maduros, kush është Delcy Rodríguez?
Pas arrestimit së presidentit venezuelian Nicolás Maduro gjatë një operacioni ushtarak të Shteteve të Bashkuara, drejtimi i Venezuelës ka kaluar në duart e zv/presidentes ekzekutive Delcy Rodríguez, sipas parashikimeve të Kushtetutës së vendit.
233 dhe 234 të Kushtetutës venezueliane përcaktojnë se, në rast mungese të përkohshme apo absolute të presidentit, detyrat e tij i kalojnë zv/presidentit. Në këtë kuadër, Delcy Rodríguez mori zyrtarisht drejtimin e vendit pas arrestimit të Maduro-s dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores.
Vetëm pak orë pas ngjarjes, Rodríguez kryesoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes, e rrethuar nga ministra dhe zyrtarë të lartë, ku kërkoi “lirimin e menjëhershëm” të çiftit Maduro dhe dënoi ashpër operacionin amerikan, duke e cilësuar shkelje flagrante të sovranitetit dhe së drejtës ndërkombëtare.
“Çfarë i është bërë Venezuelës mund t’i bëhet çdo vendi. Ky përdorim brutal i forcës duhet refuzuar nga populli ynë dhe dënuar nga Amerika Latine,” deklaroi ajo në një fjalim të transmetuar nga televizioni shtetëror VTV.
Figurë kyçe e chavizmit
Delcy Rodríguez, 56 vjeçe, është juriste me arsim nga Universiteti Qendror i Venezuelës dhe një nga figurat më të rëndësishme të chavizmit, lëvizjes politike të themeluar nga Hugo Chávez dhe e drejtuar më pas nga Maduro.
Së bashku me vëllain e saj, Jorge Rodríguez, aktualisht kryetar i Asamblesë Kombëtare, ajo ka mbajtur poste kyçe që prej epokës Chávez. Ka shërbyer si ministre e Informacionit, ministre e Jashtme dhe më pas si presidente e Asamblesë Kushtetuese, e cila forcoi pushtetin e qeverisë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare nga chavistët në vitin 2015.
Në vitin 2018, Maduro e emëroi zv/presidente, post që ajo e mbajti edhe gjatë mandatit të tretë presidencial të nisur në janar 2025, pas zgjedhjeve të kontestuara të vitit 2024. Paralelisht, Rodríguez ka qenë autoriteti kryesor ekonomik i vendit dhe ministre e Naftës.
Analistët e përshkruajnë atë si një figurë me ndikim të madh dhe me “besimin e plotë” të Maduro-s, veçanërisht mbi aparatin shtetëror dhe institucionet e sigurisë.
A do të ketë dialog me SHBA-të?
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka zhvilluar një bisedë me Rodríguez, duke lënë të kuptohet se ajo mund të jetë e hapur për bashkëpunim me Uashingtonin në një fazë të re për Venezuelën.
Megjithatë, analistë dhe vetë qëndrimet e para publike të Rodríguez sugjerojnë të kundërtën. Ajo është konsideruar një nga figurat më të ashpra të sistemit chavist dhe ka refuzuar çdo ide bashkëpunimi me SHBA-të, duke këmbëngulur se Nicolás Maduro mbetet presidenti legjitim i Venezuelës.
“Ka vetëm një president në këtë vend dhe emri i tij është Nicolás Maduro Moros,” deklaroi ajo, duke u shfaqur tashmë si fytyra më e dukshme e pushtetit në Karakas.
Ndërsa e ardhmja politike e Venezuelës mbetet e paqartë, Delcy Rodríguez është sot figura kyçe që mban në dorë drejtimin e vendit, në një nga momentet më të tensionuara të historisë së tij moderne.

