Mjeku norvegjez Mads Gilbert përpiqet të hyjë në Gaza për të ndihmuar të plagosurit

Mjeku norvegjez Mads Gilbert përpiqet të hyjë në Gaza për të ndihmuar të plagosurit

Mjeku norvegjez Mads Gilbert, i cili ka trajtuar mijëra palestinezë në Rripin e Gazës për dekada, po përpiqet sërish të hyjë në enklavën e bllokuar palestineze për të ndihmuar njerëzit e pafajshëm që janë plagosur në sulmet brutale izraelite, raporton Anadolu.

Gilbert nga Komiteti Norvegjez i Ndihmës tha për Anadolu se ai ka pritur prej javësh në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, për të hyrë në Rripin e bllokuar të Gazës.

“Vazhdimisht po përpiqemi të hyjmë në Gaza. Për momentin askush nuk mund të hyjë brenda, kalimi është i mbyllur. Izraeli kontrollon rreptësisht kufirin”, tha mjeku 76-vjeçar norvegjez dhe shtoi: “Ne jemi përpjekur të hyjmë çdo ditë për tre javët e fundit, por pa sukses”.

Ai tha se ditët e kaluara kishte biseduar me ambasadorin norvegjez dhe se kishin bërë gjithçka që ishte e mundur që ai të hynte në Rripin e Gazës. Siç tha ai, me gjithë përpjekjet diplomatike të Ambasadës Norvegjeze, ai nuk mundi të hynte në enklavën e bllokuar.

Me gjithë sfidat dhe problemet, Gilbert tha se nuk do të heqë dorë kurrë nga përpjekjet për të hyrë për të ndihmuar njerëzit e pafajshëm në Gaza. “Nuk do të dorëzohemi kurrë. Aktualisht askush nuk mund të hyjë brenda, vetëm disa kamionë lejohen të hyjnë në Gaza”, theksoi Gilbert për AA.

Ai theksoi se është në kontakt me kolegët e tij brenda Gazës dhe se ata i kanë përshkruar të gjithë tmerrin dhe ferrin që po kalojnë njerëzit në enklavën e rrethuar palestineze.

– Spitalet e mbipopulluara me pacientë

Siç zbuloi ai, brenda spitaleve, pajisjet kyçe janë pa energji elektrike, si ventilatorë, monitorë, pompa infuzioni dhe inkubatorë neonatal, dhe se spitalet janë të mbipopulluara me pacientë që kanë nevojë për ndihmë urgjente kirurgjikale.

Ai shtoi se kishte marrë informacione se qindra raste që kërkonin ndërhyrje urgjente kirurgjikale duhej të shtyheshin për disa ditë për shkak të numrit të madh të pacientëve në gjendje të rëndë dhe komplekse.

Ai paralajmëron se sistemi shëndetësor në Rripin e Gazës është bërë plotësisht i papërdorshëm, joefektiv dhe të rrënuar.

“Situata është shumë e keqe, ka shumë të vdekur, të plagosur, shumë njerëz janë nën rrënoja, është e pamundur t’i shpëtosh dhe po vdesin. Familje të tëra u shkatërruan. Situata në spitale është aq e rëndë sa nuk mund të presim më të plagosur. Të plagosurit shtrihen në rrugë dhe jashtë spitalit. Të plagosurit presin një kohë të gjatë për operacione. Mund të ketë një masakër të vërtetë në spitale nëse nuk furnizohen me karburant, furnizime dhe personel mjekësor. Situata është jashtë kontrollit në spitale. Të plagosurit po vdesin dhe kolegët tanë janë shumë të rraskapitur. Askush nuk po na ndihmon. Bota është bashkuar për të na eliminuar”, thuhet në mesazhin që Gilbert mori nga kolegët në Gaza.

Dihet se qeveria e Izraelit e ndaloi hyrjen e mjekut norvegjez në Gaza disa vite më parë për arsye sigurie, por edhe atëherë Gilbert me vendosmëri tha se do të vazhdojë t’i ndihmojë palestinezët pavarësisht synimit të Izraelit për ta penguar atë.

– Personi i vitit në Norvegji

Gilbert, një mjek norvegjez i cili u bë i njohur për publikun botëror për përpjekjet e tij mbinjerëzore për të ndihmuar palestinezët e plagosur në spitalin Sifa në Gaza në vitin 2014, u zgjodh më pas si “Personi i Vitit” i Norvegjisë, pas së cilës tha se ky çmim ishte për popullin palestinez që vuan për dekada.

Në vitin 2014, Gilbert kaloi më shumë se 50 ditë duke ndihmuar palestinezët e plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës. Gjatë konfliktit, mjeku norvegjez kritikoi ashpër Izraelin, duke thënë se veprimet e vendit mund të quheshin “terrorizëm shtetëror të nivelit më të lartë”.

– Ai ndihmoi në shpëtimin e civilëve të plagosur

Gilbert ka qenë më parë në Gaza gjatë sulmeve izraelite, ku ai ndihmoi në shpëtimin e civilëve të plagosur së bashku me personelin mjekësor palestinez. Ai ishte një figurë e shquar në fushatën për të ndihmuar viktimat palestineze gjatë operacionit ushtarak izraelit në Gaza që vrau mijëra palestinezë. Në vitin 2008 dhe 2012, mjeku norvegjez ka ndihmuar në trajtimin e të plagosurve gjatë konfliktit në Gaza.

Mjeku norvegjez u bë i njohur për publikun më të gjerë botëror kur më 31 korrik 2014 njoftoi lindjen e një palestineze nën “rrebeshin e predhave”, e cila solli në jetë katërnjakë. Jo shumë kohë më pas, ai i dërgoi letër proteste presidentit të atëhershëm amerikan, Barack Obama, në të cilën paralajmëronte botën për vuajtjet e civilëve të pafajshëm në Gaza dhe e pyeti presidentin Obama: “A ka zemër?”.

Në letër, Gilbert “i bëri thirrje” administratës amerikane dhe presidentit Obama, të ndalonin sulmet izraelite në Gaza dhe siç theksoi ai, të ndryshonin historinë. Ai u bëri thirrje udhëheqësve arabë “të pezullojnë dërgesat e naftës për amerikanët derisa të hiqet rrethimi dhe bombardimi i Gazës dhe palestinezëve t’u jepen të drejtat e tyre”.

Gilbert më herët ishte drejtues i Klinikës së Mjekësisë Urgjente në Spitalin Universitetssjukehuset Nord-Noreg dhe profesor i mjekësisë së urgjencës në Universitetin e Troms, por në të njëjtën kohë ai ndihmoi në trajtimin e pacientëve në Gaza për dekada të tëra.

MARKETING