Mitsotakis fiton bindshëm zgjedhjet! Greqia shkon në votime përsëri në fund të qershorit
Pasi ka korrur triumf përtej parashikimeve me 40,79% të votave në zgjedhjet e djeshme parlamentare të cilat nuk arritën të nxirrnin një qeveri njëpartiake, lideri konservator Kyriakos Mitsotakis e ka thyer mbrapsht mandatin për të krijuar qeveri duke ju hapur rrugë zgjedhjeve të reja ,ku pretendon shumicën parlamentare.
Jo vetëm konservatorët, por shumica e qytetarëve nuk e prisnin këtë epërsi të Demokracisë së Re që kap nivelet e 15 viteve më parë, por as edhe shembjen e të Majtëve që humbën 30% të mbështetësve duke marrë vetëm 20,07% të votave.
“Ne shpresojmë për ditë më të mira, veçanërisht në sektorin privat, dhe shpresojmë se Mitsotakis do ta mbështesë atë më mirë.”– tha mbështetësi i Demokracisë së Re
“Nuk është fundi i botës. Mendoj se mund të bëjmë më të mirën që gjërat të ndryshojnë. Ishte një humbje e madhe për demokracinë, institucionet dhe shoqërinë civile.”– tha një votues.
Sipas analistëve grekët nuk janë ndikuar nga skandali i përgjimeve , apo aksidenti tragjik hekurudhor me 57 viktima para tre muajsh. Madje ish ministri i transportit që atëherë dha dorëheqjen , ka fituar përsëri mandatin e deputetit duke triumfuar me mbi 13000 vota në zonën e tij elektorale.
Mandati presidencial pas konservatorëve i jepet deri në fundjavë partisë së dytë Syriza dhe së tretës Pasok që rikthehet si protagonist me 11,46% dhe meqënëse asnjë nga forcat politike që u futën në parlament nuk duan koalicion me partitë e tjera, atëherë rikthehet tek presidentja, e cila sipas kushtetutës beton parlamentin e ri , e shpërndan një ditë më vonë pasi nuk mund të krijohet qeveria dhe krijon një qeveri teknike me kryeministër një gjykatës të lartë.
Ky i fundit shpall brenda 20 ditëve, rreth fundit të qershorit, zgjedhjet e reja që zhvillohen me sistem proporcional të përforcuar ku partia e parë, Demokracia e Re, në bazë të përqindjes do të marrë nga 20 deri në 50 vende shtesë në parlament, dhe ka shanse tepër të mëdha të sigurojë një shumicë të konsiderueshme.