Misioni i OKB-së në Liban i kërkon ushtrisë izraelite të ndalë zjarrin ndaj paqeruajtësve
Misioni paqeruajtës i OKB-së në Liban (UNIFIL) tha të martën se i ka dërguar ushtrisë izraelite një “kërkesë për ndalje zjarri”, pasi dy predha mortaje ndriçuese goditën heliportin dhe portën kryesore të një pozicioni të OKB-së në jug të vendit, transmeton Anadolu.
“Natën e kaluar, dy predha mortaje ndriçuese të mundshme goditën heliportin dhe portën kryesore të një pozicioni të OKB-së në jugperëndim të Yarounit”, thuhet në një deklaratë të misionit.
Ai shtoi se paqeruajtësit u strehuan menjëherë dhe nuk u raportua për të lënduar.
UNIFIL-i përsëriti thirrjen drejtuar ushtrisë izraelite që “të sigurojë mbrojtjen e paqeruajtësve dhe të ndalë aktivitetet që i rrezikojnë ata dhe pozicionet e tyre”.
Misioni theksoi se çdo veprim që vë në rrezik paqeruajtësit “përbën shkelje serioze të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit dhe minon stabilitetin që po përpiqemi ta arrijmë”.
Një armëpushim është në fuqi midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban që nga nëntori 2024, pas më shumë se një viti sulmesh që lanë mbi 4.000 të vrarë dhe 17.000 të plagosur, në sfondin e luftës së Izraelit në Gaza.
Sipas armëpushimit, ushtria izraelite duhej të tërhiqej nga jugu i Libanit në janar 2025, por në vend të kësaj u tërhoq vetëm pjesërisht dhe vazhdon të mbajë prani ushtarake në pesë pika kufitare.

