Ministria e Brendshme e Gazës: Izraeli përgjegjës për zhvendosjen e civilëve

Ministria e Brendshme e Gazës ka akuzuar Izraelin, i cili ka kërcënuar të sulmojë zonat ku po strehohen pacientë dhe të zhvendosur, për shkelje të ligjit ndërkombëtar duke zhvendosur me forcë njerëzit nga shtëpitë e tyre, transmeton Anadolu.
MARKETING
“Ne i mbajmë plotësisht përgjegjëse forcat pushtuese izraelite për këtë krim, të cilin e kryen duke i zhvendosur me forcë qytetarët nga shtëpitë e tyre pa asnjë justifikim”, tha ministria në një deklaratë.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee dje në një postim në platformën sociale X tha se do të sulmojnë shumë shkolla në qytetin e Gazës, përfshirë Universitetin Islamik të Gazës dhe Spitalin Shifa.
Ushtria izraelite publikoi emrat e shtatë qytetarëve palestinezë në zonën që kërcënoi të sulmonte, duke pretenduar se këta individë ishin anëtarë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik dhe se Hamasi po kryente operacione ushtarake në ndërtesa civile në Gaza, veçanërisht në spitale, shkolla dhe qendra civile.
Ministria e Brendshme e Gazës i mohoi këto pretendime duke thënë se “Të gjitha akuzat e bëra nga Izraeli në deklaratën e tij që kërcënonte civilët janë të pabaza”.
“Izraeli i detyron civilët të largohen nga shtëpitë e tyre me pretendime të tilla dhe se kjo është pjesë e politikës së saj të pushtimit”, tha Ministria e Brendshme e Gazës.
Po atë ditë, Observatori “Euro-Med” i të Drejtave të Njeriut deklaroi se Izraeli po bënte vazhdimisht akuza të pabaza për të justifikuar sulmet e tij ndaj spitaleve.
Sipas shifrave të publikuara nga OKB-ja, 90 për qind e afërsisht 2.3 milionë palestinezëve në Gaza janë zhvendosur të paktën një herë për shkak të sulmeve të ushtrisë izraelite. Pas armëpushimit të 19 janarit, ushtria izraelite nisi përsëri sulme të dhunshme në Rripin e Gazës në mëngjesin e 18 marsit.