Ministri serb i mbrojtjes: Dislokimi i ushtrisë në kufirin me Kosovën, ‘masë paraprake’ në rast të dështimit të KFOR-it

Ministri serb i mbrojtjes: Dislokimi i ushtrisë në kufirin me Kosovën, ‘masë paraprake’ në rast të dështimit të KFOR-it

Serbia e ka dislokuar ushtrinë e saj në kufirin me Kosovën si një “masë paraprake” në rast se KFOR-i dështon në detyrën e tij për të mbrojtur serbët lokalë, tha ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq.

Në një intervistë me Anadolu nëpërmjet postës elektronike pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, Vuçeviq paralajmëroi se ushtria është “e gatshme të ndjekë çdo urdhër … në rast se mbetemi pa një zgjedhje tjetër të preferueshme”.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për faktin se, sipas ligjit ndërkombëtar dhe rezolutave ekzistuese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përgjegjësia për ruajtjen e sigurisë dhe mirëqenies së të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë bie mbi KFOR-in”, tha Vuçeviq.

“Duke pasur parasysh këtë, ne vazhdimisht i kemi bërë thirrje KFOR-it që t’i qëndrojë besnik mandatit të tij, t’i përmbahet qasjes neutrale … dhe të mbrojë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë. Megjithatë, ne e kemi përsëritur shumë herë se nuk mund të lejojmë që asnjë lloj pogromi kundër popullit tonë të ndodhë në terren”, deklaroi ai.

Vuçeviq tha se KFOR-i duhet të veprojë për të parandaluar, siç u shpreh ai, “qëllimet e rrezikshme dhe kriminale” të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, duke e akuzuar atë për përpjekje për të “spastruar serbët”.

“Dislokimi i trupave tona është një masë paraprake në rast se KFOR-i dështon në kryerjen e detyrave të tij”, pohoi ai.

Vuçeviq pretendoi se përshkallëzimi u shkaktua nga Kurti dhe forcat e Kosovës, të cilët, sipas tij, vendosën me forcë kryetarë të rinj në katër komuna.

“Këta kryetarë komunash u zgjodhën me një pjesëmarrje minimale prej vetëm 3,47 për qind dhe përkundër një bojkoti dërrmues të popullatës serbe, kështu që është logjike që banorët vendas vendosën të protestojnë kundër prurjes së tyre”, tha ai.

“Protestat ishin rreptësisht paqësore dhe jo të dhunshme, por njësitë speciale të militarizuara të policisë së Kosovës i pritën me forcë brutale dhe kjo e filloi spiralen e përshkallëzimit në rajon”, pohoi ai.

Vuçeviç tha se Serbia ka lëshuar tashmë një kërkesë për kthimin e një numri të dakorduar të forcave serbe, sipas tij, “plotësisht në përputhje me dispozitat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Ai pretendoi se forcat kosovare kanë shkelur marrëveshjet ekzistuese që përcaktojnë se “nuk mund të hyjnë në rajonin verior pa pëlqimin e komandës së KFOR-it dhe popullit lokal serb”.

“Siç ishte me policinë, tani jemi dëshmitarë të dislokimit të vazhdueshëm të njësive speciale të militarizuara monoetnike shqiptare të policisë së Kosovës në veri”, tha ai.

“Kjo gjithashtu shkel marrëveshjet e arritura më parë, pasi ata janë duke marrë detyrat e policisë së rregullt patrulluese, për të cilën nuk janë as të pajisur dhe as të trajnuar”, tha Vuçeviq.

Vuçeviq akuzoi forcat kosovare për “ngacmim dhe frikësim të vazhdueshëm të popullit lokal serb, që i ngjan një lloj okupimi të stilit ushtarak”.

“Kjo nuk është e durueshme dhe njerëzit vendas kanë të drejtë në kërkesat e tyre për largimin e menjëhershëm të atyre njësive policore”, shtoi ai.

– “Ushtria e gatshme të ndjekë çdo urdhër”

Vuçeviq tha se Serbia beson në “dialog dhe diplomaci”, por ushtria e saj është “e gatshme të ndjekë çdo urdhër” nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

“Ne besojmë se dialogu dhe diplomacia janë mjetet kryesore për të siguruar mirëqenien e popullit tonë”, tha ai.

Megjithatë, Beogradi konsideron se këto mjete “po dështojnë për shkak të një sërë masash të njëanshme” të marra nga Kurti, shtoi ai.

“Ne i ndjekim nga afër zhvillimet në terren dhe Forcat e Armatosura Serbe janë të gatshme të ndjekin çdo urdhër…në rast se mbetemi pa një zgjedhje tjetër të preferueshme”, tha Vuçeviq.

Ai tha se Serbia është “e gatshme të investojë shumë … edhe të sakrifikojë shumë, në mënyrë që të ruajë paqen dhe stabilitetin”.

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se asgjë që kemi arritur në vitet e kaluara, duke filluar nga zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor e deri te ngritja e kapaciteteve të përgjithshme të vendit tonë, nuk do të ishte e mundur nëse paqja dhe stabiliteti do të rrezikoheshin”, tha ai.

“E vetmja gjë që nuk mund të sakrifikojmë janë jetët e njerëzve tanë dhe besoj se është një qëndrim i arsyeshëm që do ta kishte çdo vend demokratik në botë”, tha për Anadolu ministri serb

MARKETING