Ministri rus i Mbrojtjes: “Operacioni special ushtarak” i dha fund dominimit ushtarak perëndimor

Ministri rus i Mbrojtjes: “Operacioni special ushtarak” i dha fund dominimit ushtarak perëndimor

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoigu, deklaroi të martën se “operacioni special ushtarak” i Moskës në Ukrainë i dha fund dominimit perëndimor në fushën ushtarake, duke ia ulur mundësitë për imponimin e interesave të saj të tjerëve, raporton Anadolu.

Duke folur në Konferencën e Sigurinë Ndërkombëtare të Moskës (MCIS) në kryeqytetin rus, Shoigu tha se ky hap ka rritur rolin e vendeve aziatike, afrikane dhe të Amerikës Latine në arenën ndërkombëtare.

Ai theksi se Perëndimi bëri përpjekje “të papara” për të penguar konferencën, por dështoi, ndërkaq pjesëmarrësit vazhdojnë të promovojnë krijimin e botës shumëpolare.

“Sot, Rusisë nuk iu kanë kundërvënë vetëm forcat e armatosura të Ukrainës, por i gjithë Perëndimi kolektiv, të cilës së fundmi i janë bashkuar shtetet individuale të rajonit Azi-Paqësor”, që do të thotë Australia dhe Zelanda e Re.

Ministri rus deklaroi se ushtria ruse “shkatërroi shumë mite në lidhje me epërsinë e standardeve ushtarake perëndimore”, duke treguar se përdorimi i armëve perëndimore, metodat e planifikimit të operacioneve të NATO-s, trajnimi dhe menaxhimi i trupave nuk siguron gjithmonë fitoren në fushën e betejës.

Pavarësisht ndihmës së madhe nga Perëndimi, Ukraina nuk arriti rezultatet e dëshiruara, ndërsa edhe kundërsulmi i shumëpritur nuk solli rezultatin e pritur, tha ai, duke shtuar: “Rezultatet paraprake të luftimeve tregojnë se burimet ushtarake të Ukrainës pothuajse janë shteruar”.

Sipas vlerësimit të tij, kur SHBA-ja u kërkon aleatëve të furnizojnë Ukrainën me armë, kjo “pastron tregun për prodhimin e industrisë ushtarake amerikane”.

“Për armë të reja partnerët do të duhet t’i paguajnë SHBA-së shuma të mëdha parash dhe të pajtohen për kufizimin e sovranitetit në sferën e sigurisë. Shembull i tillë është Evropa, ku politika e mbrojtjes është plotësisht në varësi të interesave të Washingtonit”, tha ai.

“Operacioni special ushtarak” një sfidë për ushtrinë ruse

Ministri rus i Mbrojtjes pranoi se për ushtrinë ruse “operacioni i saj special ushtarak”, i cili filloi shkurtin e kaluar, është “një sfidë serioze” pasi duhet të ndërmarrë detyrat më të vështira në kohë sa më të shkurtër.

Disa çështje janë të komplikuara nga sanksionet perëndimore, nuk ishte e lehtë të përforcohej prodhimi i pajisjeve ushtarake dhe municionit, tha ai.

Shoigu shtoi se Rusia fitoi shumë njohuri nga pajisjet dhe armët ushtarake perëndimore të kapura në Ukrainë.

Shefat ushtarakë rusë gjithashtu studiojnë dhe analizojnë me kujdes metodat perëndimore të trajnimit dhe kryerjes së veprimtarive armiqësore, tha ai.

Shoigu tha se shkelja e normave ndërkombëtare humanitare gjatë luftimeve është bërë “tipar i Ukrainës”.

Marrëveshja e grurit dhe bombat thërrmuese

Ministri rus akuzoi gjithashtu Kievin për “cinizëm” në zbatimin e Iniciativës së Drithërave të Detit të Zi, të cilën “e shfrytëzoi për të mbuluar akumulimin e armëve dhe municioneve” në portet e Detit të Zi, përfshirë Odesën.

Ministri pohoi se ushtria ukrainase prodhoi dronë dhe automjete të telekomanduara detare, të cilat i përdori për të goditur objektet ruse, pranë hambarëve.

Shoigu theksoi se organizatat ndërkombëtare humanitare injoruan veprimet e Kievit, si dhe dërgesat e bombave thërrmuese të diskutueshme nga SHBA.

“Më parë, përfaqësuesit amerikanë thoshin vazhdimisht se përdorimi i municioneve thërrmuese është krim lufte. Sot, Washingtoni dhe bashkëpunëtorët e tij po e kryejnë këtë krim në Ukrainë. Ashtu edhe siç pritej, nuk pati asnjë dënim nga organizatat humanitare”, tha ai.

Shoigu tha se Rusia mund të ndryshojë qëndrimin e saj për përdorimin e bombave thërrmuese, të cilat i ka, por nuk i ka përdorur për shkak të shqetësimeve humanitare.

Shoigu argumentoi se nga frika se botës unipolare po i vjen fundi, Perëndimi intensifikoi aktivitetet e tij në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine.

“Perëndimi po përshkallëzon situatën rreth Tajvanit”, tha ai, duke shtuar se ai personalisht pa arritjet e Koresë së Veriut në garantimin e sigurisë së saj gjatë vizitës së tij në vend muajin e kaluar.

“As izolimi ndërkombëtar dhe as sanksionet ekonomike nuk mund të ndalonin zhvillimin e Republikës. Vendi ka arritur sukses mbresëlënës në zgjidhjen e detyrave të vështira sociale dhe të mbrojtjes”, shtoi ai.

Shoigu tha se ekzistonte mundësia që Perëndimi të përpiqet të provokojë konflikte të reja në Lindjen e Mesme, Amerikën Latine, Azinë Qendrore, duke përfshirë edhe Afganistanin.

Rajoni i Arktikut u shndërrua gjithashtu në një zonë konfrontimi, e cila u forcua pas anëtarësimit të Finlandës në NATO, tha ai.

“Jemi duke monitoruar nga afër ndryshimet që po ndodhin. Ne do t’i përgjigjemi në mënyrë adekuate kërcënimeve të sigurisë dhe përpjekjeve për provokime, duke përfshirë forcimin e sigurisë së Unionit të Shteteve të Rusisë dhe Bjellorusisë. Askush nuk duhet të ketë iluzione se në sfondin e ‘Operacionit special ushtarak’, është e mundur të dëmtojë interesat ruse”, paralajmëroi ai.

Ai tha se aktivitetet perëndimore në kontinentin afrikan kanë për qëllim kryesisht ruajtjen e mundësisë së thithjes së burimeve natyrore të ish-kolonive, duke shtuar se prania e tyre ushtarake nuk ndihmon në uljen e aktivitetit të grupeve të armatosura.

MARKETING