Ministri izraelit i Mbrojtjes: Izraeli “nuk do të largohet kurrë” nga Rripi i Gazës

Ministri izraelit i Mbrojtjes: Izraeli “nuk do të largohet kurrë” nga Rripi i Gazës

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, përsëriti sot zotimin e tij se Tel Avivi “kurrë nuk do të largohet” nga Rripi i Gazës, duke premtuar krijimin e një zone të gjerë sigurie rreth enklavës palestineze dhe lejimin e ndërtimit të vendbanimeve kolone në veri të territorit, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë arsimore, Katz tha se Izraeli do të mbajë një prani të përhershme në Gaza dhe do të krijojë një zonë të gjerë sigurie përreth enklavës, raportoi gazeta Haaretz.

Katz bëri komente të ngjashme edhe të martën për planet e ndërtimit të vendbanimeve kolone në veri të Gazës, komente që, sipas mediave hebraike, zemëruan administratën e presidentit amerikan Donald Trump dhe e shtynë Katzin t’i zbusë pjesërisht ato.

Izraeli nisi një luftë të ashpër në Gaza në tetor 2023, me mbështetje nga SHBA-ja, duke vrarë mbi 71.000 palestinezë dhe plagosur më shumë se 171.000 të tjerë, shumica gra dhe fëmijë.

Një armëpushim i bazuar në një propozim të avancuar nga Trump hyri në fuqi më 10 tetor, por Izraeli e ka shkelur atë çdo ditë, duke rezultuar në vdekjen e 411 palestinezëve.

Katz tha se do të ishte e mundur ngritja e postblloqeve Nahal në veri të Gazës “në mënyrë të organizuar kur të vijë koha.” Pikat e Nahalit janë struktura vendbanimesh të bazuara te të rinjtë dhe të mbikëqyrura nga Brigada Nahal e ushtrisë izraelite, që ndërthurin shërbimin ushtarak me aktivitet vendbanimi kolon, sipas mediave izraelite.

Duke hedhur poshtë raportimet se i ka tërhequr komentet e mëparshme, Katz tha se Izraeli do të ushtrojë “sovranitet de fakto” në Gaza, ngjashëm me politikën që, sipas tij, zbaton në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Që nga fillimi i luftës në Gaza, Izraeli ka intensifikuar veprimet që synojnë aneksimin e Bregut Perëndimor, përfshirë prishje shtëpish, zhvendosje me forcë dhe zgjerim të vendbanimeve kolone, sipas autoriteteve palestineze.

Aneksimi i Bregut Perëndimor do t’u jepte fund mundësive për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit palestinezo-izraelit, ashtu siç parashikohet në rezolutat e OKB-së.

Rreth 750.000 kolonë izraelitë të paligjshëm jetojnë në qindra vendbanime në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë rreth 250.000 në Kudsin Lindor të pushtuar. Zyrtarët palestinezë thonë se kolonët kryejnë pothuajse çdo ditë sulme ndaj palestinezëve për t’i detyruar të largohen nga toka e tyre.

Katz tha se vizioni i tij, që nga fillimi i luftës në Gaza, ka përfshirë ngritjen e pikave ushtarake Nahal në veri të Gazës, së bashku me shkolla fetare dhe objekte të tjera.

Sa i përket Bregut Perëndimor, Katz tha se Izraeli po zbaton një politikë të “sovranitetit praktik”, duke shtuar se kushtet aktuale nuk lejojnë një shpallje formale të aneksimit, përfshirë zhvendosjen e palestinezëve, dislokimin e trupave dhe zgjerimin e vendbanimeve.

Autoritetet palestineze prej kohësh i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të ndalur aktivitetin e vendbanimeve në territoret e pushtuara, të cilat Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të paligjshme.

Të martën, Katz u tha liderëve të kolonëve se pikat e Nahalit do të ngrihen në veri të Gazës ku dikur ndodheshin vendbanimet kolone të evakuuara në vitin 2005. Këto komente binin ndesh me planin e Trumpit që kërkon tërheqje të plotë ushtarake izraelite nga Gaza.

Mediat izraelite raportuan se Washingtoni ka shprehur befasi dhe zemërim ndaj qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu për komentet e Katzit. Me kërkesë të kryeministrit, ministri i Mbrojtjes më vonë tha se qeveria nuk po synon ngritjen e vendbanimeve kolone në Gaza, një deklaratë që u pa gjerësisht si tërheqje, përpara se ai të përsëriste qëndrimin e tij sot.

Mediat izraelite paralajmëruan se komentet e Katzit mund të komplikojnë vizitën e planifikuar të Netanyahut në Florida, ku pritet të takohet me Trumpin më 29 dhjetor. Takimi pritet të fokusohet te Gaza, Irani, Libani dhe Siria.

Izraeli ka pushtuar territore palestineze dhe pjesë të Sirisë e Libanit për dekada dhe refuzon tërheqjen ose krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet, brenda kufijve para luftës së vitit 1967.

MARKETING