Ministri izraelit i Energjisë: Gaza pa energji, ujë e karburant derisa të burgosurit izraelitë të kthehen në shtëpi

Ministri izraelit i Energjisë: Gaza pa energji, ujë e karburant derisa të burgosurit izraelitë të kthehen në shtëpi

Ministri izraelit i Energjisë, Israel Katz, ka deklaruar se energjia elektrike, uji dhe karburanti nuk do t’i jepen Gazës derisa izraelitët e mbajtur peng në Rripin e Gazës të kthehen në shtëpitë e tyre, transmeton Anadolu.

“Ndihma humanitare për Gazën? Asnjë çelës elektrik nuk do të ndizet, asnjë hidrant uji nuk do të hapet dhe asnjë kamion me karburant nuk do të hyjë në Gaza derisa të rrëmbyerit izraelitë të kthehen në shtëpi”, tha Katz duke shtuar se “askush nuk do të na predikojë për moralin”.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite kanë nisur fushatë të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës së bllokuar, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit, një sulm i papritur në shumë fronte, përfshirë lëshimin e një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izraeli përmes tokës, detit dhe ajrit, për të cilin Hamasi tha se ishte në hakmarrjeje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Në përgjigje të veprimeve të Hamasit, ushtria izraelite nisi operacion kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Përgjigjja e Izraelit është shtrirë edhe me ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim izraelit që nga viti 2007.

MARKETING