Ministri izraelit i ekstremit të djathtë: Izraeli planifikon të aneksojë 82 përqind të Bregut Perëndimor

Izraeli planifikon të aneksojë 82 për qind të Bregut Perëndimor të pushtuar për të parandaluar krijimin e një shteti palestinez, tha të mërkurën ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, transmeton Anadolu.
“Sovraniteti izraelit do të zbatohet në 82 për qind të territorit”, tha Smotrich, udhëheqësi i Partisë së Sionizmit Fetar të ekstremit të djathtë, në një konferencë për shtyp në Kud.
“Është koha për të zbatuar sovranitetin izraelit në Jude dhe Samari (Bregun Perëndimor) dhe për të hequr njëherë e përgjithmonë idenë e ndarjes së tokës sonë të vogël”, tha ai.
Ministri ekstremist tha se çështjet e palestinezëve do të drejtohen nga Autoriteti Palestinez, i cili më vonë do të zëvendësohet me atë që ai e quajti “alternativa rajonale të menaxhimit civil”.
Smotrich tha se parimi kryesor i aneksimit është “toka maksimale me popullsi minimale arabe”.
“Nuk do të ketë kurrë dhe nuk mund të ketë kurrë një shtet palestinez në tokën tonë. Nëse Autoriteti Palestinez guxon të ngrihet dhe të përpiqet të na dëmtojë, ne do t’i shkatërrojmë ata, ashtu siç i bëjmë Hamasit”, pohoi ai.
Smotrich e quajti aneksimin e Bregut Perëndimor “një hap parandalues” kundër lëvizjeve të shumë vendeve për të njohur shtetësinë palestineze.
Disa vende, përfshirë Belgjikën, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Australinë, njoftuan plane për të njohur shtetësinë palestineze gjatë takimeve të ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 8-23 shtator, duke u bashkuar me 147 kombe që tashmë e bëjnë këtë.
Smotrich i bëri thirrje Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, “të marrë një vendim historik për të zbatuar sovranitetin izraelit në të gjitha zonat e hapura në Jude dhe Samari (Bregu Perëndimor)”.
Më 20 gusht, Izraeli miratoi një projekt të madh vendbanimesh, të quajtur E1, i cili synon të ndajë Bregun Perëndimor të pushtuar në dy pjesë, duke ndarë qytetet veriore të Ramallahut dhe Nablusit nga Betlehemi dhe Khalili në jug dhe duke izoluar Kudsin Lindor.