Ministri i Jashtëm turk: Lufta e mundshme Izrael-Iran “duhet të konsiderohet si një mundësi e lartë”

Ministri i Jashtëm turk: Lufta e mundshme Izrael-Iran “duhet të konsiderohet si një mundësi e lartë”

Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, deklaroi se lufta e mundshme midis Izraelit dhe Iranit duhet të “konsiderohet si një mundësi e lartë” dhe paralajmëroi se vendi dhe rajoni duhet të jenë gati për të, transmeton Anadolu.

“Kjo duhet të konsiderohet si një mundësi e lartë. Mendoj se do të ishte hapi më i saktë nëse do të vlerësohej si një mundësi e lartë nga shtetet e rajonit dhe nga ne, sepse duhet të jemi gati për një mundësi të tillë si vend dhe si rajon, natyrisht, ky zgjerim nuk është zgjerimi që ne duam”, tha Fidan në një program televiziv të transmetuar drejtpërdrejt.

Duke theksuar se Türkiye ka bërë përpjekje intensive për të siguruar paqen dhe për t’i dhënë fund konflikteve gjatë 20 viteve të fundit, Fidan tha: “Prandaj, ne në asnjë mënyrë nuk jemi përkrahës të ndonjë konflikti me Iranin ose fillimit të një lufte. Ne jemi plotësisht kundër kësaj, por nga ana tjetër, nëse Irani vepron në vetëmbrojtje, sigurisht, kjo është e drejta e tij”.

Ai tha se “Gaza, fatkeqësisht, është shndërruar në një varrezë të hapur, ku vriten dhe kryhet gjenocid ndaj dhjetëra mijëra njerëzve të pafajshëm”.

Lidhur me pretendimet se lideri i Hamasit Yahya Sinwar është vrarë, Fidan tha se ende nuk ka konfirmim nga Hamasi dhe se duhet të pritet.

Duke folur për politikat e jashtme dhe të sigurisë të Türkiyes, Fidan tha se Ankaraja “nuk synon asnjë pëllëmbë nga toka e askujt dhe synon të zhvillojë marrëdhëniet më shumë përmes zhvillimit rajonal, stabilitetit dhe prosperitetit”.

Fidan vuri në dukje se rivaliteti midis Kinës dhe SHBA-së do të përshkallëzohet, duke iu referuar konkurrencës ekonomike midis dy vendeve.

– Turkiye i kërkon SHBA-së të ndërpresë bashkëpunimin me grupin terrorist

Fidan tha se Ankaraja vazhdimisht i ka dërguar mesazhin Washingtonit për t’i kërkuar t’i japin fund bashkëpunimit me grupin terrorist PKK, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë nuk është i dobishëm për askënd.

Ai tha se ndjeshmëritë e Türkiyes për këtë çështje tani po merren parasysh.

Fidan shprehu shpresën që SHBA-ja, Britania dhe vende të tjera të braktisin marrëdhëniet me PKK-në në Siri dhe Irak.

Duke theksuar seriozitetin e Türkiyes për këtë çështje, ai tha, “Türkiye nuk thotë ‘Nuk do ta prek këtë sepse SHBA-ja është e përfshirë’. Ajo do të shkojë dhe do të mbrojë interesat dhe sigurinë e saj atje, ashtu siç kemi bërë në Siri”.

– Procesi i normalizimit mes Ankarasë dhe Athinës

Kryediplomati turk tha se ka një proces të vazhdueshëm normalizimi të nisur në nivel lidershipi me Greqinë, duke shtuar se Türkiye fokusohet në mënyrën se si të zgjidhë çështjet përmes bisedimeve hulumtuese, për sa kohë që ka një aktor të përshtatshëm politik në anën tjetër.

Ai tha se të dyja vendet po tregojnë ndjeshmëri maksimale në uljen e tensioneve, duke pranuar se kanë ndodhur disa incidente dhe provokime.

Ai, megjithatë, nënvizoi se Greqia aktualisht po vepron me qëndrimin për të mos përshkallëzuar tensionet dhe për të mbajtur diskutime pozitive.

Duke theksuar se mes dy vendeve ka çështje të ndryshme, ai tha se ekziston një perspektivë se si të zgjidhen çështjet në një mënyrë të pranueshme dhe të dobishme për të dyja.

Fidan deklaroi se perspektiva është tepër e vlefshme, duke theksuar se një qasje e ngjashme ekziston edhe nga pala greke dhe shprehu shpresën për të dhënë rezultate të prekshme.

– “Nuk mund ta forcosh NATO-n duke dobësuar Türkiyen”

Fidan paralajmëroi se Ankaraja mban eveidencë të të gjitha kufizimeve dhe sanksioneve të fshehta ose të hapura kundër Türkiyes, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes.

“Veçanërisht gjatë procesit të përfshirjes së Suedisë dhe Finlandës në NATO, presidenti ynë prezantoi një vizion kornizë. Ne ua kemi komunikuar këtë vazhdimisht aleatëve tanë dhe e kemi dokumentuar atë, duke çuar në deklaratat vijuese: Türkiye mbështet forcimin e NATO-s sepse ne jemi anëtare dhe një partner këtu, por ju nuk mund ta forconi NATO-n duke dobësuar Türkiyen – duhet të jemi të sinqertë për këtë”, tha ai, duke nënvizuar nevojën për përparim të rëndësishëm në çështjet që lidhen me antiterrorizmin dhe industrinë e mbrojtjes.

– Türkiye është e interesuar t’i bashkohet BRICS-it

Në lidhje me anëtarësimin e Türkiyes në BRICS, Fidan deklaroi se vendi është i interesuar për bllokun, duke vënë në dukje se Ankaraja po monitoron nga afër veprimet e organizatës në lidhje me anëtarët e rinj.

Duke thënë se BRICS është një nga tri grupet kryesore nën G20, së bashku me G7 dhe MIKTA, ai deklaroi: “Interesi për BRICS-in është rritur ndjeshëm në një kontekst ku partneritetet ekonomike dhe eksplorimet janë në rritje. Veçanërisht, vendet që bien jashtë rrjetit centrik të mirëqenies të Perëndimit kanë filluar të tregojnë më shumë interes për BRICS-in”.

MARKETING