Ministri i Jashtëm turk: Armëpushimi në Gaza të zbatohet “pa ndërprerje”

Ministri i Jashtëm turk: Armëpushimi në Gaza të zbatohet “pa ndërprerje”

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, bëri thirrje për respekt të rreptë të marrëveshjes së armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit, duke paralajmëruar se çdo provokim izraelit mund të rinisë luftën dhe të zgjatë vuajtjet e civilëve, raporton Anadolu.

“Është thelbësore që marrëveshja e dakordësuar të zbatohet pa ndërprerje”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me ministrin e Jashtëm të Irakut, Fuad Hussein.

“Nuk duhet të ketë asnjë provokim nga Izraeli që mund të rinisë luftën, të vazhdojë genocidin, ose të përkeqësojë shpërnguljen e civilëve”, theksoi ai.

Një marrëveshje armëpushimi u arrit midis Izraelit dhe Hamasit të enjten në mëngjes në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, bazuar në planin 20-pikësh të prezantuar nga presidenti amerikan Donald Trump. Faza e parë e planit përfshin armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, tërheqjen e Izraelit në një vijë të dakorduar në Gaza dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare në enklavë.

Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force sigurie të përbërë nga palestinezë dhe trupa nga vendet arabe dhe islame, si dhe çarmatosjen e Hamasit. Po ashtu, planifikohen financime nga vendet arabe dhe islame për administratën e re dhe rindërtimin e Rripit të Gazës, me pjesëmarrje të kufizuar të Autoritetit Palestinez.

– Procesi kërkon “vëmendje të vazhdueshme”

Fidan tha se kushtet e marrëveshjes u finalizuan pas negociatave të gjata dhe mbulojnë çështje kritike, si hyrja e ndihmave humanitare, kthimi i palestinezëve të shpërngulur dhe tërheqja e forcave izraelite në pozicionet e dakorduara.

“Zbatimi i këtyre masave është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, shtoi ai, duke theksuar se Turqia po ofron ndihmë teknike në terren dhe mbështetje diplomatike në nivel ndërkombëtar për të siguruar që marrëveshja të ruhet.

Fidan tha se ekzekutimi i suksesshëm i fazës së parë do të hapë rrugën për hapat e mëtejshëm në procesin e paqes, që synojnë të arrijnë stabilitet të qëndrueshëm dhe, më në fund, një zgjidhje me dy shtete.

“Nëse procesi ngec, mund të nënkuptojë një rikthim te masakrat”, paralajmëroi ai. “Për ta parandaluar këtë, po punojmë me komunitetin ndërkombëtar dhe partnerët tanë rajonalë për të siguruar që fazat e ardhshme të ecin pa ndërprerje”, tha kryediplomati turk.

Fokusi aktual mbetet te zbatimi i armëpushimit, sigurimi i lirimit të pengjeve dhe lehtësimi i shpërndarjes së ndihmave humanitare.

Në fazën e ardhshme, shtoi ai, do të trajtohet qeverisja e Gazës dhe përpjekjet për rikthimin e sigurisë së brendshme.

“Ky proces kërkon vëmendje dhe përkushtim të vazhdueshëm”, tha Fidan. “Ne do të vazhdojmë ta menaxhojmë me kujdes dhe vendosmëri, ashtu si kemi bërë deri tani”, shtoi kryediplomati turk.

MARKETING