Ministri i Jashtëm libanez refuzon ftesën e Iranit, propozon bisedime në një vend të tretë

Ministri i Jashtëm libanez refuzon ftesën e Iranit, propozon bisedime në një vend të tretë

Ministri i Jashtëm i Libanit, Youssef Raggi refuzoi sot ftesën iraniane për të vizituar Teheranin për bisedime, duke kërkuar zhvillimin e diskutimeve në një vend të tretë neutral, transmeton Anadolu.

Javën e kaluar, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi e ftoi Raggin në Teheran për të diskutuar mbi lidhjet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare. Në përgjigje të Araghchit, kryediplomati libanez në një letër, tha se Bejruti është i hapur për dialog me Iranin, por në një vend të tretë neutral për të cilin do të bien dakord.

“Kushtet e favorshme nuk janë aktualisht të disponueshme”, shtoi Raggi.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme, letra e Raggit shprehu gatishmërinë e Libanit për të vendosur marrëdhënie konstruktive me Iranin, me kushtin e “respektit të ndërsjellë për pavarësinë dhe sovranitetin e secilit vend dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme në asnjë formë dhe nën asnjë pretekst”.

Raggi shtoi se homologu i tij iranian “do të jetë gjithmonë i mirëpritur në Liban”.

Në një deklaratë të mëparshme, Raggi kritikoi vërejtjet e Ali Akbar Velayatit, një këshilltar i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në të cilat ai e paralajmëroi Libanin kundër rezultateve të çarmatimit të Hezbollahut.

“Ajo që është më e rëndësishme për ne sesa uji dhe buka është sovraniteti ynë, liria jonë dhe pavarësia e vendimmarrjes sonë të brendshme”, shtoi Raggi.

Qeveria libaneze më 5 gusht miratoi një plan, bazuar në një propozim të paraqitur nga i dërguari special i SHBA-së, Tom Barrack, për të lënë të gjitha armët përfshirë ato të mbajtura nga Hezbollahu, nën kontrollin e shtetit dhe i ngarkoi ushtrisë detyrën për zbatimin e planit para fundit të vitit 2025.

Hezbollahu e ka refuzuar vazhdimisht këtë veprim dhe këmbëngul që forcat izraelite duhet të tërhiqen plotësisht nga territori libanez përpara se të dorëzojë armët.

MARKETING