Ministri i Jashtëm izraelit: Nuk do të lejoj zbatimin e zgjidhjes me dy shtete

Ministri i Jashtëm izraelit: Nuk do të lejoj zbatimin e zgjidhjes me dy shtete

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar kërcënoi se nuk “do të lejojnë” zbatimin e zgjidhjes me dy shtete pasi shtetet evropiane dhe perëndimore morën vendim njëri pas tjetrit për njohjen e Palestinës.

Duke folur për mediat amerikane, ministri Saar tha se vendet që kanë vendosur të njohin Palestinën “mund të krijojnë një shtet palestinez në tokën e tyre nëse dëshirojnë”.

“Nëse vendet e mëdha si Franca dhe Kanadaja duan të krijojnë shtet palestinez në tokën e tyre, ata mund ta bëjnë këtë. Ata kanë mjaft hapësirë për këtë”, deklaroi Saar i cili pretendon se territoret palestineze që kanë pushtuar “i përkasin Izraelit”.

“Një shtet palestinez në zemër të Izraelit do të ishte me të vërtetë një zgjidhje, por është një zgjidhje për ata që duan të na shkatërrojnë”, tha Saar.

Ai pretendon se një shtet i pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet të cilin e mbajnë të pushtuar brenda kufijve të vitit 1967, do të “rrezikojë seriozisht” qytetet me popullsi të dendur të Izraelit dhe do ta shtyjë vendin e tij “prapa në kufij të pambrojtshëm”. Më tej Saar shtoi se “Një veprim i tillë do të ishte vetëvrasës”.

Në shkurt 2024 me votën e 99 deputetëve dhe në korrik 2024 me votën e 68, në përgjigje të përpjekjeve të disa vendeve për të njohur shtetin palestinez, parlamenti izraelit miratoi një rezolutë “që kundërshton njohjen e njëanshme të shtetit të Palestinës”.

Për shkak të sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës dhe bllokadës që ai ka vendosur në rajon, katastrofa humanitare ka arritur kulmin ndërsa mbi qeverinë e Tel Avivit po rritet presioni ndërkombëtar. Vendet po e përdorin vendimin e tyre për të njohur shtetin e pavarur palestinez si mjet presioni ndërkombëtar për të kërkuar që Izraeli të ndërpresë sulmet e tij në Rripin e Gazës dhe t’i japë fund katastrofës humanitare që ka shkaktuar.

Nëntë shtete anëtare të OKB-së kanë vendosur ta njohin zyrtarisht shtetin e Palestinës pas 7 tetorit 2023. Britania e Madhe, Franca, Kanadaja dhe Malta kanë thënë se do të njoftojnë vendimin e tyre për të njohur Palestinën si “shtet të pavarur” në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.

Që nga shpallja e pavarësisë më 15 nëntor 1988, shteti i Palestinës, i cili është nën pushtimin izraelit, është njohur nga 147 prej 193 shteteve anëtare të OKB-së.

MARKETING