Ministri i Jashtëm i Polonisë pas sulmit rus në Kiev: Putin po tallet me përpjekjet tuaja për paqe, z.Trump

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, ka reaguar ashpër pas një sulmi të rëndë rus në kryeqytetin ukrainas, Kiev, që ndodhi gjatë natës dhe shkaktoi dëme të mëdha, përfshirë edhe goditjen e konsullatës polake, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një postim në platformën X, Sikorski iu drejtua drejtpërdrejt presidentit amerikan Donald Trump, duke e ftuar të marrë masa konkrete pas sulmit. “Putin po tallet me përpjekjet tuaja për paqe”, shkroi ai. “Ju lutem, rivendosni furnizimet me municion kundërajror për Ukrainën dhe vendosni sanksione të reja, të ashpra ndaj agresorit.”
Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi rus përmes dronëve zgjati mbi tetë orë dhe goditi disa zona të kryeqytetit, duke lënë të paktën 14 persona të plagosur. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se 12 prej tyre janë shtruar në spital.
Dëme të konsiderueshme janë regjistruar në gjashtë nga dhjetë distriktet e qytetit, përfshirë edhe dëmtime në infrastrukturën hekurudhore dhe ndërtesa publike. Në distriktin Holosiivskyi, mbetjet e dronëve ndezën flakë në një objekt mjekësor, ndërsa automjete të shumta u dogjën nga shpërthimet.
Ky sulm vjen në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë përshkallëzuar, ndërsa thirrjet për mbështetje më të madhe për Ukrainën po bëhen gjithnjë e më të zëshme.