Ministri i Jashtëm i Iranit: Bashkëpunimi me IAEA-në do të vazhdojë, por do të marrë “formë të re”

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha sot se bashkëpunimi i Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) nuk do të ndalet, por do të “marrë një formë të re për të garantuar sigurinë e objekteve të saj bërthamore”, transmeton Anadolu.
Sipas Agjencisë së Lajmeve Tasnim, në një takim me ambasadorët dhe krerët e misioneve të huaja me seli në Teheran, Araghchi ka theksuar se “fakti që sistemi i mospërhapjes po shkelet kaq lehtë përfaqëson një dëm dhe përpara se të jetë një humbje për Iranin, është humbje për bashkësinë ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar”.
Ai përsëriti angazhimin e Iranit ndaj Traktatit të Mospërhapjes (NPT), duke thënë: “Programi bërthamor i Iranit ka qenë gjithmonë paqësor dhe do të mbetet i tillë”. Ai shtoi se Teherani “do të vazhdojë të jetë anëtar i NPT-së”.
“Sipas ligjit parlamentar, bashkëpunimi ynë menaxhohet përmes Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, dhe kërkesat e IAEA-së për bashkëpunim do të shqyrtohen rast pas rasti nga ky këshill, i cili do të marrë vendimet”, shpjegoi Araghchi.
Një konflikt 12-ditor midis Izraelit dhe Iranit shpërtheu më 13 qershor pasi Tel Avivi nisi sulme ajrore ndaj vendeve ushtarake, bërthamore dhe civile iraniane, duke vrarë të paktën 606 persona dhe duke plagosur 5.332 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Iranit.
Teherani kreu sulme hakmarrëse me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, duke vrarë të paktën 29 persona dhe duke plagosur më shumë se 3.400, sipas shifrave të publikuara nga Universiteti Hebraik i Kudsit.
Konflikti u ndal sipas një armëpushimi të sponsorizuar nga SHBA-ja që hyri në fuqi më 24 qershor.