Ministrat Sali dhe Mucunski takuan eurokomesarin Magnus Brunner
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali dhe ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski realizuan takime të ndara me komisionerin evropian për Punë të Brendshme dhe Migrim, Magnus Brunner, gjatë të cilit u diskutuan çështje kyçe lidhur me procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, menaxhimin e migracionit, sigurinë kufitare dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Në takimin me Sali u konfirmua përkushtimi i fuqishëm i Qeverisë për vazhdimin e reformave në kuadër të klasterit “Themeloret”, me theks të veçantë në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Ministri Sali theksoi angazhimin e vendit për përmbushjen e kritereve hapëse dhe ruajtjen e dinamikës reformuese.
Vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit të Sistemit të Hyrje-Daljes të Bashkimit Evropian dhe ndikimit të tij mbi shoferët profesionistë nga rajoni. Ministri Sali nënvizoi nevojën për një zgjidhje pragmatike dhe proporcionale që do të ruajë stabilitetin ekonomik dhe funksionimin e zinxhirëve të furnizimit, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut është vend pa dalje në det dhe plotësisht e varur nga transporti rrugor.
Në fushën e migracionit dhe menaxhimit të kufijve, u theksua se Maqedonia e Veriut mbetet partner i besueshëm i Bashkimit Evropian, me zbatim të plotë të Marrëveshjes së Statusit me Agjencinë Evropiane për Rojën Kufitare dhe Bregdetare dhe me pjesëmarrje aktive në operacionet e përbashkëta.
Bashkëbiseduesit riafirmuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe kontrabandimit të migrantëve, si dhe forcimin e shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit operacional.
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane Bekim Sali ritheksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për harmonizim të plotë me standardet evropiane dhe avancimin e bashkëpunimit institucional në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, në takimin me ministrin Mucunski u theksua angazhimi i vazhdueshëm i vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht në fushën e punëve të brendshme dhe migracionit.
“Ai theksoi angazhimin për përmirësimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e reformave në këtë fushë, me qëllim harmonizimin e mëtejshëm me rregullat dhe standardet evropiane. Bashkëbiseduesit diskutuan thellimin e bashkëpunimit në menaxhimin e migracionit, duke përfshirë partneritetin me Frontex, luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar, politikën e vizave, si dhe shkëmbimin e vazhdueshëm të informacionit dhe përvojave”, thonë nga MPJTJ.

Edhe në këtë takim, siç thuhet vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit të Sistemit të Hyrjes/Daljes në Bashkimin Evropian.
“Ministri Mucunski vuri në dukje implikimet praktike të zbatimit të tij, veçanërisht në lidhje me shoferët profesionistë dhe sektorin e transportit, të cilët po përballen me sfida specifike operative dhe financiare. Në këtë drejtim, ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për të gjetur zgjidhje praktike dhe në kohë përmes dialogut konstruktiv me Komisionin Evropian dhe Shtetet Anëtare, me qëllim forcimin e lidhshmërisë dhe sigurimin e rrjedhës së mirë të tregtisë”, thuhet në njoftim.

