Midis sulmeve izraelite dhe të ftohtit të dimrit, banorët e Gazës në luftë për mbijetesë
Duke i mbijetuar sulmeve të pamëshirshme izraelite për 15 muajt e fundit, civilët e zhvendosur në Rripin e Gazës tani po luftojnë për të qëndruar gjallë në mes të motit ftohtë të dimrit.
“Situata humanitare e të zhvendosurve është tragjike”, tha për Anadolu zëdhënësi i Bashkisë së Gazës, Hosni Muhanna.
“Ata nuk kanë mjete ngrohjeje, karburant, veshje apo batanije dhe nuk kanë zgjidhje të përhershme për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës”, shtoi ai.
Civilët kanë qenë të ekspozuar ndaj një lufte brutale izraelite që nga një sulm i Hamasit më 7 tetor 2023, duke vrarë afro 45.600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe duke plagosur mbi 108.400 të tjerë.
Tel Avivi gjithashtu ka vendosur një bllokadë paralizuese ndaj enklavës, duke e lënë gjithë popullsinë e territorit në prag të urisë.
Një valë e të ftohtit dhe shira të rrëmbyeshëm kanë përkeqësuar edhe më tej kushtet për civilët e dëshpëruar, duke i lënë ata të luftojnë për të jetuar në tendat e tyre të konsumuara në kampet e zhvendosjes.
Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, të paktën shtatë persona, përfshirë gjashtë foshnja, kanë vdekur deri në ngrirje gjatë javës së kaluar në Gaza.
“Moti i ashpër i dimrit përkeqëson vuajtjet e të zhvendosurve dhe uji i shiut lag sendet e tyre dhe i ekspozon ata ndaj të ftohtit të fortë”, tha Muhanna.
– Përmbytjet
Muhanna tha se dëmet masive të shkaktuara nga sulmet izraelite në rrjetet e ujërave të zeza dhe kullimit të ujërave të shiut po përkeqësojnë më tej situatën për civilët e zhvendosur.
“Ushtria izraelite shkatërroi rreth 175.000 metra linearë të rrjeteve të ujërave të zeza dhe 15.000 metra linearë të rrjeteve të ujërave të shiut, krahas bllokadës për furnizimet me karburant dhe energji elektrike”, shtoi ai.
“E gjithë kjo ka bërë që ujërat e zeza dhe ujërat e shiut të përmbytin dhjetëra shtëpi dhe strehimore përballë aftësive tona të kufizuara për t’u ballafaquar me situatën për shkak të mungesës së pajisjeve dhe materialeve bazë dhe refuzimit të Izraelit për të lejuar aksesin në pajisjet dhe makineritë e nevojshme”, theksoi zyrtari palestinez.
Ai paralajmëroi për përmbytje të mundshme nga vendi i grumbullimit të ujërave të shiut Sheikh Radwan në veri të Qytetit të Gazës.
“Kjo mund të përbëjë një tjetër fatkeqësi humanitare nëse nuk ofrohen menjëherë furnizimet për restaurimin e objekteve të pellgjeve të shkatërruara, duke përfshirë një gjenerator elektrik, riparimin e pompave të tij dhe linjën e kullimit të ujit në det”, shtoi ai.
– Apel urgjent
Zëdhënësi palestinez tha se autoritetet bashkiake po punojnë me aftësi të kufizuara në mes të luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza.
“Gaza ka nevojë për një qëndrim të vërtetë humanitar. Kriza shkon përtej zgjidhjeve të përkohshme dhe kërkon një përgjigje urgjente që garanton një jetë të denjë për të zhvendosurit dhe të gjithë banorët”, tha Muhanna.
Ai bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftës izraelite, hapjen e kalimeve të Gazës dhe aksesin në ndihma humanitare sa më shpejt të jetë e mundur.
Të mërkurën, Shërbimi i Mbrojtjes Civile i Gazës tha se shirat e dendur përmbytën mbi 1.542 tenda që strehonin civilë të zhvendosur në Rripin e Gazës në dy ditët e fundit.
Ushtria izraelite ka vazhduar luftën gjenocidale në Gaza që ka vrarë mbi 45.500 viktima, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Në nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.