Mickoski: Maqedonia forcon energjinë: gazsjellës me Greqinë e Serbinë dhe tre diga strategjike

Mickoski: Maqedonia forcon energjinë: gazsjellës me Greqinë e Serbinë dhe tre diga strategjike

Maqedonia i fuqizon linjat e transmetimit për energjinë elektrike dhe gazit natyror. Ndërton gazsjellës me Greqinë dhe fillon me ndërtimin e gazsjellësit për lidhje me Serbinë, informoi kryeministri Hristijan Mickoski në panelin e djeshëm në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Mickoski, siç njoftoi në profilin e tij në Fejsbuk, ka folur edhe për ndërtimin e tre pendave – projekte strategjike në vlerë dy miliardë euro, të cilat, sipas tij, përveç që do të mundësojnë prodhimin e energjisë elektrike, do të krijojnë edhe tre rezervuare të rëndësishme me ujë të pastër për pije.

“Në panelin e djeshëm të mesditës kushtuar ekonomisë dhe investimeve në Davos, fola për hapat strategjikë që po ndërmarrim si vend në aspektin e inteligjencës artificiale, energjisë dhe zhvillimit afatgjatë të vendit. Sa i përket inteligjencës artificiale, po forcojmë linjat tona të transmetimit të energjisë elektrike, por jo vetëm kaq, paralelisht po forcojmë edhe linjat e transmetimit të gazit natyror. Në këtë kontekst, po ndërtojmë një gazsjellës me Greqinë, dhe gjithashtu po fillojmë të ndërtojmë gazsjellës, i cili do ta lidhë vendin me Serbinë. Këto janë projekte strategjike me rëndësi thelbësore jo vetëm për vendin tonë, por edhe për të gjithë rajonin”, thekson Mickoski, sipas të cilit, me lidhjen, vendi do ta rrisë kapacitetin e tij të gazit në 8 miliardë metra kub në vit.

Në lidhje me digat, thekson se nevoja e sigurimit të rezervave të ujit të pastër do të jetë gjithnjë e më e madhe.

“Duke i pasur parasysh ndryshimet klimatike, rajoni do të ketë nevojë gjithnjë e më të madhe për rezerva të tilla, të cilat do të sigurojnë siguri afatgjate ujore dhe furnizim të qëndrueshëm me ujë të pastër”, thuhet në publikimin e Miskoskit në Fejsbuk.

MARKETING