Mexhiti i reagon Selës: Ju e hoqët Balancuesit, ne sollëm Ligjin për përfaqësim të drejtë

Mexhiti i reagon Selës: Ju e hoqët Balancuesit, ne sollëm Ligjin për përfaqësim të drejtë

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti reagoi ndaj akuzave të kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili vlerësoi se Ligji i ri për përfaqësim të drejtë minon praninë e shqiptarëve në administratë.

MARKETING

Mexhiti tha se Sela ishte pjesë e Qeverisë e cila shfuqizoi “Balancuesin”.

“Balancuesi u shfuqizua në qeverinë e mëparshme, në të cilën vetë Sela ishte anëtar. Të gjithë ministrat, përfshirë ata shqiptarë, dhanë pëlqimin e tyre për shfuqizimin e tij përmes Strategjisë për Reformën e Administratës Publike. Edhe ministrat shqiptarë ishin në të njëjtën linjë me gjyqtarët maqedonas të Gjykatës Kushtetuese që e refuzuan balancuesin”, tha Mexhiti.

Ai theksoi se, ndryshe nga ata që vetëm u penduan për shfuqizimin, qeveria aktuale ofroi një alternativë të vërtetë ligjore.

“Ja ku është Ligji! E miratuam në Qeveri, do të shqyrtohet nga Komisioni i Venedikut, do të ketë një seancë dëgjimore publike dhe më pas do të debatohet në Parlament”, shtoi Mexhiti.

Ai kujtoi se vetë Aleanca për Shqiptarët, gjatë fushatës “Pse jo për një Kryeministër Shqiptar”, premtoi një zgjidhje për balancuesin, por kurrë nuk guxoi të fliste për një ligj specifik.

“Ne, në vitin e parë të mandatit, po e mbyllim njëherë e përgjithmonë temën që duhej të ishte zgjidhur që në vitin 2003. Kemi miratuar një Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, përfundoi zëvendëskryeministri.

MARKETING