Mësohet identiteti i pjesëtarit të grupit terrorist që po trajtohet në QKUK

Mësohet identiteti i pjesëtarit të grupit terrorist që po trajtohet në QKUK

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është duke u trajtuar njëri prej personave të plagosur në veri të vendit.

I njëjti dyshohet së është pjesë e grupit terrorist i arrestuar sot në veri të vendit.

KALLXO.com mëson se emri i tij është Vladimir Toniq.
Naser Syla, drejtor i Emergjencës në QKUK tha se i njëjti është jashtë rrezikut për jetë.

“Në QKUK para gjysmë ore është sjellë një i plagosur i nacionalitetit serb, këtu i kemi kryer të gjitha ekzaminimet dhe gjendja tij për momentin është stabile, tash po pritet të fusim në sallë për trajtim të mëtutjeshëm” – ka thënë ai.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.

MARKETING