Merz: Ukrainës i duhen forca të armatosura të forta, edhe nëse arrihet marrëveshja e paqes

Merz: Ukrainës i duhen forca të armatosura të forta, edhe nëse arrihet marrëveshja e paqes

“Ukraina do të ketë nevojë për forca të armatosura të forta dhe garanci sigurie pas arritjes së çdo marrëveshjeje paqeje me Rusinë, dhe Kievi nuk duhet të detyrohet të lëshojë territor.”

Kështu tha të martën kancelari gjerman Friedrich Merz, duke theksuar se interesat evropiane dhe ukrainase janë në rrezik, ndaj çështja e garancive po diskutohet me Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën.

“Ukraina ka nevojë për forca të armatosura të forta, edhe nëse arrihet një marrëveshje paqeje… Ukraina do të vazhdojë të ketë nevojë për forca të armatosura të forta dhe garanci të besueshme sigurie nga partnerët e saj”, theksoi Merz në një konferencë për shtyp me homologun e tij estonez.

Garancia më e rëndësishme, tha ai, është një ushtri ukrainase e pajisur mirë.

“Kjo është arsyeja pse po diskutojmë madhësinë e ushtrisë ukrainase si një qëllim të ardhshëm”, tha Merz, duke shtuar se është shumë herët për të diskutuar vendosjen e trupave të huaja.

Vendet evropiane këmbëngulin që kufiri për Ukrainën duhet të jetë 800,000 trupa në vend të 600,000.

Merz tha gjithashtu se Ukraina nuk duhet të detyrohet të pranojë lëshime territoriale dhe se vija e frontit duhet të jetë pika fillestare për negociatat.

MARKETING