Merz: Putin duhet ta kuptojë se nuk ka asnjë shans për të fituar këtë luftë

Merz: Putin duhet ta kuptojë se nuk ka asnjë shans për të fituar këtë luftë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz paralajmëroi të mërkurën se SHBA-ja nuk duhet të anashkalojë europianët në negociatat me Rusinë për Ukrainën, duke theksuar se çdo marrëveshje kërkon dakordësinë evropiane.

Duke iu drejtuar ligjvënësve në parlamentin gjerman, ai tha se europianët duan të shohin një fund të luftës në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, lideri gjerman theksoi se çdo marrëveshje e negociuar midis “fuqive të mëdha” pa pëlqimin e Ukrainës – dhe pa pëlqimin e Europës – nuk do të sigurojë një bazë për paqe të qëndrueshme.

“Në këtë moment të fatkeq për Ukrainën, për Europën dhe për aleancën tonë me SHBA-në, dua gjithashtu të bëj të qartë: çështjet evropiane mund të vendosen vetëm me dakordësinë e Evropës”, pohi Merz, shkruan aa.

“Europa nuk është një pion, por një aktor sovran që ndjek interesat dhe vlerat e saj. Dhe në të gjitha këto zhvillime, nuk duhet të harrojmë këtë: kjo luftë mund të përfundojë nesër nëse Rusia ndalon luftën e saj të paligjshme dhe tërheq trupat nga territori i huaj”, shtoi ai.

Lideri konservator mirëpriti ndryshimet e bëra në planin fillestar me 28 pika të presidentit amerikan, Donald Trump pas bisedimeve midis delegacioneve të SHBA-së, Ukrainës dhe Evropës në Gjenevë të dielën.

“Bashkimi tani është thelbësor – bashkimi në Evropë, bashkimi me Ukrainën dhe bashkimi në aleancën transatlantike”, deklaroi udhëheqësi gjerman, duke shtuar se vendet perëndimore duhet të ushtrojnë më shumë presion ndaj Presidentit rus Vladimir Putin dhe ta detyrojnë Kremlinin të ulet në tryezën e negociatave.

“Ne do ta mbështesim popullin ukrainas për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Dhe kemi ndërmend t’i bëjmë të disponueshme asetet e ngrira ruse pikërisht për këtë qëllim. Putin duhet ta kuptojë se nuk ka asnjë shans për të fituar këtë luftë”, tha ai, duke iu referuar planeve evropiane për të siguruar Ukrainës një hua prej 140 miliardë eurosh (162 miliardë dollarë) e mbështetur nga asetet e bllokuara të Bankës Qendrore ruse që ruhen në Belgjikë.

MARKETING