Merz i kërkon Francës t’i përmbahet marrëveshjes për projektin e përbashkët për avionë luftarakë

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha të mërkurën se Franca dhe Gjermania duhet t’u përmbahen marrëveshjeve të mëparshme mbi konfigurimin e projektit të përbashkët franko-gjerman për avionët luftarakë FCAS, pas u raportua në fillim të kësaj jave se Franca tani kërkon të marrë pjesë në 80 për qind të punës.
Merz tha se është në kontakt të rregullt me presidentin francez, Emmanuel Macron, për projektin, i cili vlen më shumë se 100 miliardë euro dhe ka hasur në vonesa dhe mosmarrëveshje për ndarjen e punëve dhe të drejtave të pronësisë autoriale.
Udhëheqësit e dy ekonomive më të mëdha të Evropës pritet të takohen në Berlin kah fundi i këtij muaji, raporton Reuters.
“Jam plotësisht i vendosur t’i qëndrojmë besnikë marrëveshjeve që kemi bërë me Francën dhe Spanjën në lidhje me FCAS”, tha Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Kompania franceze Dassault Aviation, si dhe Airbus dhe Indra – këto dy të fundit përfaqësojnë Gjermaninë dhe Spanjën – janë pjesë e projektit për t’i zëvendësuar avionët francezë Rafale dhe ata gjermanë e spanjollë Eurofighter, me avionë luftarakë të gjeneratës së pestë duke filluar nga viti 2040.
Megjithatë, Merzi e pranoi se ende ka dallime në qëndrime për mënyrën se si duhet të përbëhet konsorciumi.
“Çështjet që kanë të bëjnë me pikëpamjet e ndryshme për përbërjen e konsorciumit ende nuk janë zgjidhur. Por, jam i bindur se do t’ia dalim”, tha ai.
Franca ia ka bërë të ditur Gjermanisë se dëshiron të ketë rreth 80 për qind të ndarjes së punës në FCAS, tha një burim nga industria e mbrojtjes për Reuters në fillim të kësaj jave.
Nëse Franca nuk heq dorë nga kjo kërkesë, atëherë ndarja e punëve siç ishin pajtuar palët më herët, do të anulohet, tha burimi. Sipas tij, dallimet që do të krijoheshin mes partnerëve të projektit do ta bënin të pamundur që ai të kalonte në fazën e ardhshme siç ishte planifikuar deri në fund të këtij viti./REL