Merz: Gjermania duhet ta bojkotojë Eurovisionin nëse Izraeli përjashtohet

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë se Gjermania duhet të tërhiqet nga gara vjetore e këngës, Eurovision, vitin e ardhshëm në Vjenë, nëse Izraeli përjashtohet.
I pyetur në një intervistë për transmetuesin publik ARD të dielën, nëse Gjermania duhet të heqë dorë vullnetarisht nga pjesëmarrja në atë rast, Merz tha: “Do ta mbështesja këtë. Mendoj se është skandal që kjo madje po diskutohet. Izraeli e ka vendin atje”.
Spektakli muzikor përfshin vende nga Evropa, por edhe më gjerë, ku secili shtet paraqet një këngë për të garuar për titullin, i cili ndahet pas vlerësimit nga juria kombëtare dhe nga votimi publik.
Trysnia ndaj organizatorëve të festivalit është rritur në javët e fundit, pasi disa transmetues, përfshirë ata nga Spanja, Irlanda dhe Holanda, kanë kërcënuar se do të tërhiqen nëse Izraelit nuk i ndalohet pjesëmarrja, për shkak të luftës në Rripin e Gazës.
Transmetuesit kombëtarë luajnë rol vendimtar në Eurovision, pasi ata janë përfaqësuesit zyrtarë të vendeve të tyre në Unionin Evropian të Transmetimeve (EBU).
EBU-ja është përgjegjëse për përzgjedhjen e këngëve pjesëmarrëse, bashkërendimin e transmetimeve direkte dhe mbikëqyrjen e procedurave të votimit.
EBU-ja njoftoi në fund të muajit të kaluar se do ta zhvillojë një takim online me të gjithë transmetuesit anëtarë në nëntor për të votuar mbi pjesëmarrjen në garën e vitit 2026.
Eurovisioni i ardhshëm është planifikuar të mbahet në Vjenë në maj 2026.
Protesta të mëdha publike kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision janë mbajtur në dy edicionet e fundit.