Meksika nuk e ekstradon djalin e “El Chapos” në SHBA

Meksika nuk e ekstradon djalin e “El Chapos” në SHBA

Një gjykatës meksikan pranoi të premten kërkesën e Ovidio Guzmanit për të mos e ekstraduar në Shtetet e Bashkuara.

Anëtari i profilit të lartë i kartelit Sinaloa, i cili u arrestua këtë javë gjatë një bastisje të përgjakshme duke lënë të paktën 29 të vdekur, aktualisht ndodhet në burgun e sigurisë maksimale Almoloya në Toluca.

Djaloshi 32-vjeçar, i njohur edhe si El Raton, është një nga djemtë e Joaquin “El Chapo” Guzman dhe renditet në listën e personave më të kërkuar të Uashingtonit. Megjithatë, vendimi i së premtes pezulloi “aktet që konsistojnë në dëbimin, ekstradimin dhe ekzekutimin e tij”, raporton cnn.

Arrestimi i së enjtes në qytetin e Culiacan, shteti Sinaloa, erdhi disa ditë përpara vizitës së presidentit amerikan, Joseph Biden në Meksikë për Samitin e Liderëve të Amerikës së Veriut.

Chapito u arrestua për herë të parë më 17 tetor të vitit 2019, në një operacion të njohur si “culiacanazo”, por u lirua disa orë më vonë për shkak të hakmarrjeve nga anëtarët e tjerë të bandës.

Ovidio Guzman Lopez, së bashku me vëllanë, Joaquin Guzman Lopez, kërkohet në Shtetet e Bashkuara për shitje të drogës. Sipas autoriteteve amerikane, vëllezërit bashkëpunuan për të shpërndarë kokainë, metamfetaminë dhe marihuanë midis viteve 2008 dhe 2018.

Karteli Sinaloa, të cilin Ovidio Guzman e drejton që nga arrestimi dhe dëbimi i babait të tij në SHBA, eksporton dhe shpërndan sasi të mëdha fentanili, heroine, metamfetamine, kokainë dhe marihuanë dhe gjithashtu dominon korridoret e drogës në Arizona dhe Kaliforni.

Sipas autoriteteve shëndetësore amerikane, fentanili, një opioid sintetik 50 herë më i fuqishëm se heroina, është përgjegjës për vdekje të shumta në Shtetet e Bashkuara.

MARKETING