Meksika hedh poshtë planin e Trumpit për aksion ushtarak kundër karteleve të drogës

Meksika njoftoi se ushtria amerikane nuk do të hyjë në territorin e tij pas raportimeve se presidenti amerikan, Donald Trump kishte urdhëruar Pentagonin të synojë kartelët e drogës latino-amerikane.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të vijnë me ushtri në Meksikë. Ne bashkëpunojmë, por nuk do të ketë invazion. Kjo është përjashtuar, absolutisht përjashtuar”, tha të premten presidentja Claudia Sheinbaum.
Në një deklaratë për BBC, Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj direkt kësaj direktive, por tha se “prioriteti më i rëndësishëm i Trump është mbrojtja e atdheut”.
Duket se kjo direktivë ndjek një urdhër ekzekutiv që lideri amerikan kishte nënshkruar më herët gjatë vitit, me të cilin tetë kartelë droge janë shpallur zyrtarisht entitete terroriste – nga të cilët gjashtë janë meksikanë.
Duke iu drejtuar gazetarëve, Sheinbaum tha se qeveria meksikane është njoftuar për këtë urdhër lidhur me kartelët dhe se “kjo nuk ka lidhje me pjesëmarrjen e ndonjë personeli ushtarak”.
“Kjo nuk është pjesë e ndonjë marrëveshjeje, aspak. Nëse do të diskutohej kjo çështje, ne gjithmonë do të thonim ‘Jo’,” tha ajo.
Më herët gjatë vitit, Sheinbaum kishte thënë për gazetarët se vendimi i Trump për të shpallur kartelët si terroristë “nuk mund të jetë një justifikim për SHBA që të sulmojnë sovranitetin tonë.”
Të enjten, sekretari shtetëror Marco Rubio deklaroi se kjo shpallje do t’i ndihmojë SHBA në luftën kundër kartelëve, duke përfshirë edhe ato që menaxhohen nga agjencitë e inteligjencës dhe Ministria e Mbrojtjes.
Raporti i New York Times thotë se direktiva që Trump nënshkroi jep “bazën zyrtare për mundësinë e operacioneve të drejtpërdrejta ushtarake” kundër kartelëve, si në det ashtu edhe në tokë të huaj.
Meksika në muajt e fundit ka bashkëpunuar me SHBA për të luftuar kalimet ilegale të migrantëve dhe drogës në kufirin mes SHBA dhe Meksikës.