Meksika arriti marrëveshjen tregtare me SHBA-në pa “asnjë veprim shtesë”

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka bërë të ditur se vendi i saj arriti marrëveshje me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të shtyrë tarifat prej 30 për qind pa bërë asnjë kompromis, transmeton Anadolu.
“Marrëveshja që arritëm nuk përfshinte asnjë veprim shtesë nga Meksika. Ne thjesht mbetemi ashtu siç jemi dhe vazhdojmë dialogun”, tha Sheinbaum në një konferencë për media pas telefonatës së saj me Trumpin më herët gjatë ditës.
Gjatë telefonatës 40-minutëshe, ajo shoqërohej nga sekretari i Ekonomisë, Marcelo Ebrard dhe ministri i Punëve të Jashtme, Juan Ramon de la Fuente.
“USMCA-ja është mbrojtur”, tha Sheinbaum nga Pallati Kombëtar, duke iu referuar Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA), e cila zëvendësoi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA) në vitin 2020.
Marrëveshja e sotme përfshin një pezullim 90-ditor të tarifave prej 30 për qind të vendosura më herët nga 1 gushti ndaj të gjitha eksporteve për 90 ditë.
Në një postim në mediat sociale pas telefonatës, Trump tha se Meksika do të vazhdojë të paguajë një taksë prej 25 për qind për fentanilin, 25 për qind për makinat dhe 50 për qind për çelikun, aluminin dhe bakrin.
Në platformën sociale X, Sheinbaum tha se telefonata e saj me Trumpin ishte “shumë e mirë”.
“Ne shmangëm rritjen e tarifave të njoftuara për nesër dhe arritëm 90 ditë për të ndërtuar një marrëveshje afatgjate të bazuar në dialog”, tha ajo.
Sipas një letre personale të dërguar për Sheinbaum, Trump kishte premtuar një tarifë prej 30 për qind për eksportet meksikane duke filluar nga e premtja, pasi qeveria meksikane nuk kishte arritur të përmbushë kërkesat e SHBA-së në lidhje me përpjekjet për të frenuar trafikun e drogës.
Marrëveshja u arrit pavarësisht premtimeve të zyrtarëve amerikanë, përfshirë sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick, se tarifat nuk do të shtyhen përsëri.
Sheinbaum shpjegoi se tarifat aktuale prej 25 për qind zbatohen për gjithçka jashtë traktatit trepalësh midis Meksikës, SHBA-së dhe Kanadasë. Tarifat në sektorin e automobilave mbeten, por ka një zbritje për pjesët e prodhuara në Meksikë, SHBA dhe Kanada.
Për më tepër, ajo shpjegoi se marrëveshja përfshin një tryezë dialogu të përhershme midis ekipit të Sheinbaumit dhe atij të Trumpit.
“Ne kemi marrëveshjen më të mirë të mundshme, të krahasueshme edhe me ato të kombeve të tjera”, tha Sheinbaum.