Mediat izraelite: Pjesëmarrja e Turqisë në bisedimet për armëpushim në Gaza ishte vendimtare

Mediat izraelite raportuan se pjesëmarrja e Turqisë në negociatat për armëpushim në Gaza, të cilat pritet të hyjnë në fuqi, ishte vendimtare në arritjen e një marrëveshjeje, transmeton Anadolu.
Gazeta “The Times of Israel”, duke cituar diplomatë arabë, raportoi se Turqia, Katari dhe Egjipti po punojnë për të bindur Hamasin për garancitë e SHBA-së se Izraeli nuk do të rifillojë sulmet pasi të burgosurit të lirohen.
Diplomati arab tha se pavarësisht përpjekjeve intensive të Katarit dhe Egjiptit për të bindur Hamasin, përfshirja e Turqisë në bisedime ishte vendimtare.
Për më tepër, thuhet se telefonata e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu me zyrtarët e Katarit në SHBA pas sulmit të Izraelit në kryeqytetin e Katarit, Doha, ndihmoi në rivendosjen e besueshmërisë së humbur të vendit në sytë e Hamasit.
Këta faktorë thuhet se ndikuan tek Hamasi dhe i dhanë besim në angazhimet e marra.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi miratuan fazën e parë për armëpushim në Gaza gjatë negociatave të vazhdueshme në Egjipt.
Hamasi konfirmoi se është arritur një marrëveshje për armëpushim në Rripin e Gazës dhe vlerësoi përpjekjet e Turqisë, Katarit, Egjiptit dhe presidentit amerikan.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se pas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza të arritur në bisedimet në Egjipt, ata do të thërrasin një mbledhje të kabinetit dhe do të miratojnë marrëveshjen e armëpushimit për kthimin e të burgosurve izraelitë.