Media izraelite: ShBA-ja i kërkoi Izraelit të shtyjë operacionin tokësor në Gaza

Media izraelite: ShBA-ja i kërkoi Izraelit të shtyjë operacionin tokësor në Gaza

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Izraelit të shtyjë operacionin tokësor në Rripin e Gazës, raportoi media izraelite, transmeton Anadolu.

“Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Izraelit të shtyjë ofensivën e tij tokësore deri në krijimin e një korridori humanitar”, raportoi e përditshmja “Jerusalem Post”, duke cituar transmetuesin publik izraelit (KAN).

Sipas raportimit, “është e paqartë se cila është përgjigja izraelite ndaj kërkesës”.

ShBA-ja ka shprehur mbështetje të fortë për Izraelin në luftimin kundër grupit Hamas pas sulmit të tij një javë më parë, por gjithashtu ka shprehur shqetësimin për gjendjen e vështirë humanitare të mbi 2 milionë banorëve të Gazës, ku gjendeshin pjesëtarët e Hamasit.

Të premten, ushtria izraelite paralajmëroi 1,1 milion banorë në veri të Gazës që të evakuohen “brenda 24 orëve” në gjysmën jugore të rripit.

OKB-ja ka paralajmëruar se do të ishte e pamundur që palestinezët në Gaza t’i binden urdhrit pa “pasoja shkatërruese humanitare”.

Një javë më parë, forcat izraelite nisën një fushatë të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës në përgjigje të një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime, duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Përgjigjja e Izraelite është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nën një rrethim paralizues që nga viti 2007.

MARKETING